Vinicius shpërthen ndaj La Ligës: E kanë pasur gjithë ditën, por më njoftuan për dënimin kur arrita në stadium

Prishtinë | 15 Tet 2026 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Vinicius Junior e ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj La Ligës dhe Komitetit Disiplinor të Federatës Spanjolle të Futbollit, pasi u dënua me katër ndeshje pezullim në kampionat.

Sulmuesi i Real Madridit mësoi për vendimin pak para ndeshjes ndaj Romës në Ligën e Kampionëve, gjë që e zemëroi atë.

Braziliani nuk e kupton arsyen pse vendimi u komunikua pikërisht në atë moment, kur autoritetet, sipas tij, kishin pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë më herët.

“Ka qenë një moment i keq. E kanë pasur gjithë ditën për ta publikuar vendimin dhe, sapo arrita në stadium, më njoftuan se do të mungoja në katër ndeshje të La Ligës. Nuk e kuptoj pse”, deklaroi Vinicius, shkruan “Sport”, përcjell “Gazeta Express”.

Futbollisti madrilen e vuri në dyshim edhe mënyrën se si lojtarët informohen për ndryshimet në rregullore.

“E vërteta është se ky rregull është i ri dhe askush nuk na e ka shpjeguar. Gjithmonë vjen dikush nga La Liga ose nga gjyqtarët për të na shpjeguar rregullat e reja, por për këtë çështje nuk na është thënë asgjë”, u shpreh braziliani.

Vinicius u dënua me katër ndeshje pezullim pas përjashtimit me karton të kuq në ndeshjen ndaj Villarrealit, ku i tërhoqi flokët kundërshtarit Nathan Saliba dhe më pas protestoi ndaj gjyqtarit.

Për këtë arsye, ai do të mungojë në ndeshjet ndaj Sevillas, Barcelonës, Racing Santanderit dhe Valencias.

Mungesa më e rëndësishme do të jetë ajo në El Clásico, që zhvillohet më 25 tetor në Barcelonë.

Real Madridi pritet ta kundërshtojë vendimin, ndërsa Vinicius po e kalon një periudhë të vështirë, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në raportet me autoritetet e futbollit spanjoll.

Pavarësisht zemërimit, braziliani e ka shprehur besimin se do të rikthehet në formën e tij më të mirë dhe do të ndihmojë skuadrën në vazhdim të sezonit. 

Të ngjashme