Virgjëri…

Prishtinë | 04 Gus 2023 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Adelina Pali)

Dy sy vështronin tutje tek fati,
Dhe kurmet vajzërore i shkunden.
Diku mes gërxheve frymën e mbajti,
Nga vrapi gjinjtë seç iu tundën.

Nga larg dëgjohet një këmbanë,
Sikur kërkon k’të ndjenjë ta ndalë.
Një zë të dridhur e dëgjon pranë,
Dhe vajza meket…s’thotë asnjë fjalë.

“Ç’është ky trazim? Ç’janë këto dridhje?”
Gërsheti gjoksin ia zbukuron,
Fustani si zambak seç i ka hije,
Ndjen një vështrim, hapin ndalon.

Si një sorkadhe e trembur rri,
Ah, ai vështrim e ndezi zjarr,
Një thëllëzë mali iu ul përbri,
Përtej lëndinës zbardh një ujëvarë.

Dhe s’e kthen kokën, vështrimin ndjen,
Bën që të ngrihet, por s’ngrihet dot,
Një frymë e ngrohtë nga pas i vjen,
Në sup i bie një kokër lot.

“Lermë të rri… të rri me ty!”
Djaloshi buzëdridhur i foli,
Dhe vajza vrullshëm e pa në sy,
Një psherëtime si klithmë i doli.

Dhe veç e preku, siç prek një lis,
Një buzëqeshje të ëmbël ndehu,
Shaminë me ojna që kish qëndis,
Ia vuri në dorë …një puthje ndjeu.

Dhe iku ashtu me zjarr në gji,
Kur trimi me puthje desh ta mbulonte,
Aty tek shtegu s’kish më fuqi,
Mes drithërimave priti që ta pushtonte…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme