Viruset e verës, rritet ndjeshëm numri i pacientëve me të vjella dhe diarre

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 15:48 | Nga

Gjatë stinës së verës askush nuk është imun ndaj enteroviruseve.

Viruset më të zakonshme që shfaqen janë ato me simptoma të temperaturës së ngritur, dhimbje koke, dhimbje fyti, dhimbje muskuj dhe abdominale, vjellje dhe diarre, shkruan lajmi.net.

Ditëve të fundit në Kosovë qytetarë të shumtë kanë pasur këto çrregullime dhe iu kanë drejtuar Qendrave të Mjekësive Familjare ku edhe po i trajtojnë këto probleme.

Kryeshefi i QKMF-së, Sami Uka ka thënë për lajmi.net se gjatë këtyre ditëve numri e pacientëve me simptoma të diarres dhe të vjellave është rritur.

“Nuk kemi ende shifër të saktë pasi të dhënat jepen në fund të muajit. Mirëpo mund të them se numri i pacientëve është rritur ndjeshëm. Edhe pse është sezonë pushimi qendrat e mjekësive familjarë po arrijnë ta përballojnë numrin e pacientëve”, ka thënë Uka .

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e QKUK-së, Majlinda Qyqalla e cila ka thënë se në emergjencë nuk është paraqitur ndonjë rast me rrezikshmëri të lartë.

Në trajtim zakonisht pacientëve ju rimëkëmben lëngjet e humbura dhe ju largohet temperatura.

Sipas doktorëve mungesa e lëngjeve në organizëm mund të jetë e rrezikshme te fëmijët dhe te të moshuarit dhe duhet trajtuar menjëherë për të shmangur problemet serioze me shëndetin.

Theksojmë se temperaturat e larta shtojnë rastet e helmimeve ushqimore. Infeksionet zakonisht merren nga goja, gëlltitja e ushqimit ose pijet e helmuara.

Preferohet që gjatë kësaj stine të nxehtë të tregohet mjaft kujdes në restorante, fast-foode dhe në konsumimin apo përgatitjen e prodhimeve të detit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme