Virusi i Nilit Perëndimor arrin në Gjermani, fajësohet ndryshimi i klimës

Prishtinë | 29 Sht 2019 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Në Gjermani është shënuar për herë të parë një rast i virusit të Nilit Perëndimor. Shkencëtarët besojnë se rritja e temperaturave për shkak të ngrohjes globale ka ndikuar që mushkonjat të përhapen në pjesën veriore të planetit.

Autoritetet shëndetësore gjermane njoftuan për personin e infektuar me këtë virus nga mushkonjat, i cili është rasti i parë në vend.

Qendra Kombëtare për Kontrollin e Sëmundjeve raportoi se personi i infektuar me këtë virus është sëmurë më vonë me encefalitis, i cili përfshin ënjtjen e trurit dhe paraqet rrezik për jetë.

Virusi i Nilit Perëndimor për herë të parë ishte zbuluar në Ugandë në vitin 1937, por viteve të fundit është përhapur edhe në vendet që shtrihen më në veri.

Shumica e personave të pickuar nga mushkonjat që e bartin këtë virus nuk kanë simptoma, por rreth 20 për qind e tyre më vonë përjetojnë ethe, temperaturë dhe vështirësi të tjera.

Më pak se 1 për qind e tyre mund të përjetojnë ndërlikime më serioze neurologjike, përfshirë encefalitisin dhe meningjitin.

Sipas studimeve të fundit, ky virus mund të shkaktojë dëmtime në tru, përfshirë dëmtimin e aftësive njohëse, të cilat zgjasin me vite të tëra pas infektimit fillestar, shkruan “Independent”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme