Analizat e reja të ekspertëve të sigurisë kibernetike kanë dalë në përfundimin se virusi “WannaCry” është një prodhim “Made in China”.
Ekspertët e “Flashpoint” thonë se kanë mundur të zbërdhejnë gjuhën e përdorur në mesazhin informues që u shfaqet pajisjeve kompjuterike të infektuara prej këtij virusi.
Sipas tyre, nga kjo analizë mund të thuhet në një përqindje të madhe bindja se kinezishtja e përdorur në të është shkruar nga një i lindur në Kinë, ose njohës i mirë i dialektit mandarin, njofton Tch.
Mesazhi i virusit përcillet në 28 gjuhë të botës, por për ekspertët e “Flashpoint” vetëm në anglisht dhe në kinezisht ky mesazh është shkruar nga njeriu, ndërsa 26 gjuhët e tjera janë përkthime automatike kompjuterike.
Në një përfundim të ngjashëm mbërritën më herët edhe ekspertët e sigurisë së “Google”, me ndryshimin e vetëm që gishtin e fajësisë e adresonin nga Koreja e Veriut dhe projektit të saj “Lazarus” që ka përdorur territorin kinez për të ndërmarrë sulmin.
“Lazarus” fajësohet për sulmin ndaj “Sony Pictures” dhe ndaj një banke në Bangladesh në të shkuarën.