Vishesh si lepur? Gjobitesh!

Prishtinë | 31 Mar 2018 | 09:49 | Nga

Një ligj në Austri që dënon me gjobë të gjithë ata që mbulojnë fytyrën dhe i vënë kryesisht kundër burkas të grave myslimane, ka prekur jo vetëm ato, por edhe të tjerë, e madje edhe një aktor të veshur si lepur.

Synimi i ligjit ishte kufizimi i Islamit “ortodoks” në jetën publike.

Shifrat e publikuara nga revista javore e lajmeve “Profil” të hënën tregojnë se 29 akuza janë ngritur nga policia që prej tetorit të kaluar kur ligji hyri në fuqi.

Hulumtimet tregojnë se vetëm katër prej këtyre akuzave janë gra myslimane të veshura me burka.

Në raste të tjera, policia ka lëshuar paralajmërime ndaj njerëzve që mbulojnë fytyrat e tyre me shami, maska skish apo kostume të kafshëve.

Në Tirol, gjashtë akuza janë ngritur për shkak të njerëzve të veshur me “veshje të dimrit”, ndërsa një numër turistësh aziatik u është kërkuar të heqin maskat e tyre kundër smogut në aeroportin Schwechat të Vjenës.

Në fund të tetorit, policia në Vjenë ndërpreu një aktivitet ku një aktor ishte veshur si lepuri Lesko.

Në të njëjtin muaj, një njeri i veshur si peshkaqen për të promovuar hapjen e një dege të Apple u detyrua të ‘zhvishej’.

“Nëse ky ligj ishte menduar si një kontribut në luftën kundër islamit konservator, atëherë unë mund të them vetëm: ky është një dështim,” tha Hermann Greylinger i sindikatës së policisë austriake, duke shtuar se numri i policëve që zbatonin ligjin ishte në rënie.

Në janar, ministri i Brendshëm i Austrisë, Herbert Kickl, krijuesi i parullave të shumta të fushatës kundër Islamit për partinë e tij të djathtë populiste të Lirisë, ka konfirmuar se vetëm dy arrestime ishin kryer sipas legjislacionit. Ai nuk pranoi të publikonte statistika të mëtejshme mbi ndikimin e ligjit.

Dy partitë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga social-demokratët miratuan ligjin në vitin 2017 për ndalimin e plotë të veshjeve që mbulonin fytyrën veçanërisht në gjykata dhe në shkolla si një hap për “integrimin”.

Në atë kohë, shoqatat myslimane kritikuan ndalimin, duke sugjeruar se jo më shumë se rreth 150 gra në Austri ishin të mbuluara plotësisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme