Gjatë vitit 2016 në aksidente trafiku humben jetën 109 qytetarë të Kosovës. Krahasuar me vitin 2015, këtë vit ka pasur një rënie të aksidenteve me fatalitet.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se hyrja në fuqi e Ligjit për Trafikun Rrugor ka ndihmuar në sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Ai bëri të ditur se krahasuar me vitin 2015, ku nga aksidentet në trafik kishin humbur jetën 129 persona, në vitin 2016 ka pasur një rënie të theksueshme.
“Aksidentet me fatalitet dhe numri i personave të vdekur në vitin 2016, kanë shënuar rënie nëse i krahasojmë me vitin 2015. Do të thotë kemi 20 jetë më pak të humbura si rezultat i aksidenteve fatale”, ka thënë zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Hoxha tha se Policia Kosovës, gjatë sezonit të dimrit ndërmerr operacione të veçanta, kryesisht në ato pika ku polica e vëren rrezikun, në mënyrë që të arrijë të parandalojë aksidentet.
“Ne po ashtu kemi operacione të veçanta për sezonin dimëror ku në pikat më të ndjeshme, ose ku kemi vërejtur që ka pasur aksidente më të shpeshta, kemi rritur kapacitetin me njësite policore duke kryer pika të kontrollit dhe në këtë mënyrë të parandalojmë aksidente kryesisht ato me fatalitet të cilat po mbesin shqetësuese për neve dhe për të gjithë qytetarët”, ka thënë Hoxha.
Sa i përket festës së Vitit të Ri, Hoxha thotë se nuk kishte ndonjë incident me fatalitet, përveç lëndimeve të lehta trupore si pasoi e përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Ka pasur disa lëndime trupore si pasoi e përdorimit të fishekzjarrëve, por në përgjithësi gjendja e sigurisë gjatë ndërrimit të motmoteve ka qenë i qetë dhe pa incidente serioze”, ka potencuar Hoxha.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shtojnë kujdesin ngase komunikacioni rrugor është përkeqësuar pas reshjeve të fundit të borës.