Me rastin e 3 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës se Kryeministrit, në bashkëpunim me projektin “Kosova Gjithëpërfshirëse” ka mbajtur konferencën e shpalljes së vitit 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi tha se në kuadër të aktiviteteve për vitin e ardhshëm parashihet mobilizim i të gjitha institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, por edhe shoqërisë në përgjithësi, në mënyrë që të punohet drejt mbrojtjes, avancimit të të drejtave dhe përmirësimit të situatës së personave me aftësi të kufizuara.
Madje sipas saj atyre duhet që tu krijohen mundësi dhe kushte të barabarta si të gjithë të tjerëve.
“Të gjitha institucionet janë shumë aktive në këtë drejtim që nga Qeveria e deri të institucionet lokale. Këtyre personave duhet që tu mundësohet qasje në arsim që nga ai fillor e deri në fakultet”.
“Po punojmë që të gjithëve tu krijohet qasje e barabartë për të gjithë, dhe të marrin pjesë në të organizimet”.
“Të gjitha pengesat, nuk duhet të lejojmë diskriminim dhe duhet ta vlerësojmë secilin person në shtetin në të cilin jetojmë. Ligji duhet të zbatohet në tersi, për të gjithë. Me buxhetit do të realizojmë të gjitha aktivitet tuaja”.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, tha se të gjitha aktivitete për vitin e ardhshëm janë të realizueshme sa i përket buxhetit, raporton EO.
“Këto aktivitet janë të realizueshme nga ana e institucioneve. Ne nuk synojmë që veç një vit përkushtim për këta persona, por çdo ditë, çdo vit duhet angazhim”.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjithë dhe synojmë që këtë ta bëjmë gjithëpërfshirëse”.
Kjo konferencë është mbështetur nga BE-ja dhe zbatohet nga HANDIKOS, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Forumi i Aftësisë së Kufizuar, “Threshold” dhe “Disability Partnership Finland”.