Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si duket menjëherë ka vendosur të marrë situatën në dorë pas marrjes së postit si i pari i Shëndetësisë.
Përveç shkarkimeve ai tani ka marrë vendim tjetër duke ndaluar kështu konkursin e ish ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt për staf mjekësor, 210 pozita të reja, staf mjekësor, mjek, infermierë etj.
Gazeta inFokus ka siguruar dokumentin e këtij vendimi në të cilin thuhet se në konkursin e Zemajt janë shkelur dispozitat ligjore, përkatësisht neni 3 si dhe neni 13 i rregulloren për Shëndetësi, e kjo sipas tyre është edhe arsyeja e anulimit të tij.
E këtë, Vitia e bëri në momentet kur rastet me COVID-19 në Kosovë janë rritur dhe spitalet janë stërmbushur e nuk ka më vend për pacientë, pra kur nevoja për staf mjekësor është rritur.
Armend Zemaj e kishte shpallur këtë konkurs me 15 qershor të vitit 2020 , shkruan Gazeta inFokus.
Zemaj kishte thënë në ditën kur u hap konkursi se disa klinika në QKUK do të mbyllen shumë shpejt në kohën kur sipas tij janë rreth 600 mjekë në Kosovë të papunë.
“Shumë klinika anë e mbanë Kosovës do të mbyllen e disa janë mbyllur në mungesë të stafit e ne kemi 600 të papunë”, kishte deklaruar ai.
Konkursi ishte shpallur për 100 mjekë specialistë ose mjekë të përgjithshëm, 62 infermierë, 20 inspektorë sanitar, 4 specialistë të mikrobiologjisë, 8 laborantë, 6 pozita për staf teknik dhe mbështetës.
Sipas konkursit paga për mjekët specialistë do të ishte 704 euro, për mjekët e përgjithshëm do të ishte 610 euro, paga për infermierët 422 euro, për inspektorët sanitar 520 euro. Sipas kushteve të përshkruara në konkurs, specialistët e mikrobiologjisë do të merrnin 704 euro, laborantët do të paguhen me 422 euro kurse stafi teknik dhe mbështetës me 360 euro për muaj.
Koha e punësimit sipas konkursit ishte me kohë të caktuar, 3 muaj, me mundësi vazhdimi.
Në konkursin e shpallur nga Ministria në kohën e Zemajt kërkohej që kandidatët të respektojnë principet e humanitetit dhe profesionalizmit në diagnostikim dhe këshillim në luftën kundër pandemisë COVID-19 në zbatim të Manualit të Qeverisë.
Në vazhdim mund të gjeni dokumentin që ka siguruar Gazeta inFokus.
/Gazeta inFokus/