Vitia dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Arben Vitia zhvilloi sot një takim virtual me Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore  për Kosovën dhe për Maqedoninë e Veriut, në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe përfaqësues të tjerë të këtij misioni.

Ministri Vitia ka falënderuar misionin e Bankës Botërore për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj nevojave të Kosovës gjatë pandemisë COVID-19 dhe për fleksibilitetin e treguar brenda projekteve ekzistuese midis MSh-së dhe këtij misioni.

Gjatë takimit është biseduar për situatën rreth COVID-19 dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave që ka shkaktuar Coronavirusi në të gjitha aspektet, si dhe nevojën e lehtësimit të procesit të sigurimit të vaksinave kundër COVID-19 dhe përgjithësisht edhe të forcimit shëndetësor të Kosovës.

Ministri Vitia ka siguruar misionin e BB-së se me ekipin e tij është i përkushtuar për të siguruar vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta në proces me BB dhe arritjen e objektivave të përcaktuara në to.

Nga ana e tij, Massimiliano Paolucci, ka shprehur përkushtimin e misionit të BB-së që të bashkëpunojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë në realizimin e projekteve, me qëllim të përmirësimit të indikatorëve shëndetësor në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme