Vitia: Një ilaç që shitet 2.50 euro në vendet e tjera të Ballkanit, te ne shitet 7.50 euro

Prishtinë | 27 Jan 2023 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur për projektligjin, i cili synon që të rregullojë çmimin e barnave në treg.

Ai tha se përmes ligjit synohet që çmimi i barnave të jetë uniformë në të gjitha barnatoret në vend.

Vitia, i cili u riemërua ministër i Shëndetësisë në dhjetor të vitit të shkuar, tha se në muajin shkurt pritet që projektligji të dorëzohet në Qeveri për miratim.

“Sa kam qenë në opozitë, pata thënë se kjo punë nuk rregullohet me Udhëzim Administrativ, kjo punë duhet të rregullohet vetëm me ligj, dhe ky ligj ka përfunduar tanimë të gjitha procedurat është katalizuar në dy javët e fundit. Sot ka dalë në diskutim publik dhe ky projektligj për çmimin e barnave do të dërgohet maksimumi në muajin e ardhshëm në Qeveri”, tha ministri i Shëndetësisë në ATV.

“Përmes këtij ligji synohet të ketë çmim më të ulët të barnave se i tanishmi. Kemi paradoksin, për shembull bari që kushton 2.50 euro në Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Shqipëri tek ne shitet 7.5 euro. Kjo është një tmerr të cilin qytetarët tonë e përjetojnë çdo ditë duke u prekur në gjepin e tyre. Dhe ky ligj do të ndikoj drejtpërdrejt në gjepin e qytetarëve”, u shpreh ai

Të ngjashme