Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar se në takimin me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka pranuar disa kontakte nga ky fundit për sigurimin e vaksinave kundër Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Tutje, ai tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjithë për sigurimin e vaksinave kundër Coronavirusit.
“Unë falënderoj edhe qytetarët që duan të na ndihmojnë dhe secila parti duhet ta bëjë këtë për të na ndihmuar. Unë kam kontaktuar persona edhe nga diaspora dhe na kanë ofruar ndihmë. Dhe do të jemi të hapur që bashkërisht t’i shpjegojmë secilit procesin e marrjes së vaksinave. Ne kemi pasur një takim me Deputeti Haxhiu na ka ofruar ndihmë. Në anën tjetër pas shumë këtyre takimeve që janë në proces”, tha ai.
I pyetur nga Ekonomia Online se nëse do të marrin paga shtesë personeli shëndetësor, Vitia tha se për këtë nuk ka ende përgjigje.
“Në fakt kjo është një pyetje që duhet të jemi këtu me Muratin. Jemi munduar që ata që kanë qenë në vijën e parë të frontit, për t’i stimuluar në mënyrën më dinjitoze, por nuk kam përgjigje për momentin”, tha tutje ai.