Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të marten ka mbajtur një konferencë për medie në të cilën ka thënë se situata me pandeminë është serioze dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, raporton Ekonomia Online.
Ndër masat kryesore që pritet të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme, Vitia ka thënë se është mbyllja e klubeve të natës, reduktimi i aktiviteteve të gastronomisë dhe shumë kufizime të reja rreth dasmave.
“Instituti ka regjistruar raste të shumta, ku gjatë mostrave që kemi marrë, 171 raste kanë qenë nga varianti Delta me përhapje katër hërë më e shpejtë se varianti Covid-19, dhe kjo përhapje është shumë e lartë pa përjashtuar të gjitha grupmoshat. 465 pacientë të hospitalizuar. Qysh nesër do t’i propozojmë Qeverisë për disa masa kufizuese që prekin jetën tonë ekonomike të mbyllen për një kohë të caktuar, me këtë rast të mbyllen klubet e natës, gastronomia me një kohëzgjatje të caktuar, dhe me një zgjidhje rreth dasmave me kufizime, për shkak të datave që i kanë caktuar më herët”, tha Vitia.
Tutje Vitia njoftoi se kanë marrë mbështetje nga Ministria e Financave që të rrisin stafin e punonjësve shëndetwsor me 1 mijë punonjës dhe që edhe të shtunën do kryhet procesi i vaksinimit.
“Kemi marrë mbështetje nga ministria e Financave, që të rekrutojmë 1000 punonjës shëndetësor, në ShSKUK, IKShPK, e njësi në kujdesin parësor. Do të shtyjmë para nxitjen e procesit të vaksinimit. Qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe të shtunën dhe do të shtohen edhe termine të reja. Me vaksinim mund të kemi një zgjidhje si dhe me zbatim të masave”, theksoi tutje ai.
Vitia shtoi se këto masa do vlejnë deri në datën 1 shtator, dhe do mund të ketë lehtësira apo ashpërsime varësisht prej situatës epidemiologjike, duke theksuar se do dënohet secili person që nuk bën respektimin e këtyre masave.
“Masat po merren për të parandaluar kolapsin e intitucionve shëndetësore dhe mbrojtjën e shëndetit të qytetarëve. Këto masa do të vlejnë deri më 1 shtator ato mund të lehtësohen ose të fuqizohen pas kësaj date” tha ai.
Ndërsa Naser Ramadani nga IKShPK duke bërë thirrje për vaksinim tha se varianti Delta është një virus i ri, që po prek edhe fëmijët.
“Varianti Delta mund të quhet si një virus i ri, dhe është brengosëse që ky virus po prek edhe fëmijët. Vaksinimi shpëton jetë, dhe krijon rezistencë ndaj virusit, andaj ju lusim që të vaksinoheni sa më shpejtë. Vaksinat kanë sigurinë dhe për këtë arsye vaksinohuni”, tha Ramadani.