Vitia: Specialistët që punojnë vetëm në sektorin publik do të stimulohen me shtesa në pagë

Prishtinë | 08 Shk 2023 | 11:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se mjekët specialistë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik, do të stimulohen përmes shtesës në pagë, raporton Ekonomia Online.

Këtë Vitia e bëri të ditur në një konferencë për media, të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas tij, me këto shtesa paga e një mjeku specialist mund të arrijë deri në 1800 euro.

“Është një Rregullore e cila do të përcaktojë se për mjekë specialistë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë një shtesë ekstra dhe natyrisht është edhe përvoja e punës dhe për një mjek specialist pas miratimit të Ligjit të Pagave, mund të shkojë paga deri në 1700-1800 euro”, tha Vitia.

Ai tutje u shpreh së janë brengosur me ikjen e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit dhe se përmes koeficientit të Ligjit të Pagave janë munduar që ta parandalojnë këtë dukuri.

Sipas tij, profesionistët shëndetësorë janë ata të cilët kanë përfituar më së shumti nga vlera e koeficientit, nga të gjitha kategoritë.

Mes tjerash, Vitia deklaroi se janë duke u munduar që të gjejnë edhe mënyra të tjera të cilat do të bindnin stafin shëndetësor që të qëndrojë në institucione publike.

“Me shumë profesionistë shëndetësorë që kam folur, përveç pagave janë edhe arsye të tjera që ata largohen e kryesisht kanë të bëjnë me distribuimin jo korrekt të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit infermieror dhe kushte jo të përshtatshme të punës si dhe mungesë e aparaturave”, u shpreh ai.

Të ngjashme