Ministri Vitia thotë se karantina në komunat veriore u vendos në koordinim

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 20:22 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se vendimi për karantinimin e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit është marrë në koordinim me këshillat e epidemiologëve dhe në komunikim zyrtar me kryetarët e këtyre komunave të banuara me popullatë shumicë serbe.

Ministri Vitia, në një konferencë shtypi sonte në mbrëmje së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka folur për situatën e fundit me Coronavirus, si dhe vendimin për vendosjen e masës së karantinimit të dy komunave veriore.

Gjatë ditës është raportuar se vendimi është marrë nga Qeveria e Serbisë, duke shkelur sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Jemi në koordinim zyrtar me kryetarët e komunave të Mitrovicës e Zveçanit. Do të koordinohemi, po ashtu, dhe me komunat fqinje në ditët në vijim dhe me institucionet e qytetarët që me kujdes, vetëdisiplinë dhe shumë solidaritet mes nesh të mbërrijmë fitore dhe të shpëtojmë jetë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, theksoi ministri në detyrë i Shëndetësisë.

Ai kërkoi injorim “të dallimeve të mundshme”. “Pandemia është kërcënim për të gjithë njerëzimin”, u shpreh Vitia.

“Jam në dijeni për deklaratat e shumta sot të karakterit politik, por po kërkoj si kudo në botë, solidaritet e mirëkuptim. Pandemia Covid-19 është kërcënim për gjithë njerëzimin. Përballimi i saj kërkon durim, përkushtim dhe injorim të dallimeve të ndryshme”.

“Prandaj, kujdes nga komunikimet e pasaktësuara ngase një minutë deklaratë mund të përkthehet një situatë e rënduar në terren”.

Adresimi i plotë i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia:

Së bashku me drejtorin e IKSHPK-së, prof. Naser Ramadanin, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi këtu sot para jush për t’iu sqaruar dhe informuar për situatën në vend pas rasteve të reja me Covid-19.

Në IKSHPK të premten deri pas mesnate janë testuar 243 mostra.
Pozitiv 9. Janë shëruar edhe 6 të tjerë. Gjithsej të testuar 1.74, pozitiv 135, të vdekur 1, të shëruar 16.

Deri sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje: 2772 persona.

Dje janë testuar 93 persona në veri dhe 3 nga mostrat kanë rezultuar pozitive. IKSHP do të vazhdojë që konform situatës ashtu si në çdo pjesë të vendit tonë të vazhdojë me testimet dhe masat tjera në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit dhe shëndeti i qytetarëve në çdo pjesë të vendit.

Janë marrë të gjitha masat shëndetësore, institucionale, të higjienës, të parandalimit, të furnizimit dhe gjithçka që nevojitet për këto komuna. Falë punës së profesionistëve shëndetësorë, policisë dhe mbi të gjithë falë organizimit të shtabeve emergjente në komunat në fjalë.

Do të bëjmë çmos që ta izolojmë përhapjen më tej dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur me mjekët tanë për shëndetin e qytetarëve të prekur.

Sa i takon vendosjes në karantinë të dy komunave në veri të Kosovës janë marrë masat të cilat sipas Protokollit tashmë janë të përcaktuar nga epidemiologët.

Veprimet për rastet e infektuara dhe parandalimin i përhapjes është i përcaktuar ndërkombëtarisht nga udhëzimet e OBSH-së dhe ECDC.

Me të njëjtin protokoll veprojnë dhe profesionistët tanë në gjurmimin e rasteve të reja dhe parandalimin e përhapjes së virusit.

Shpresojmë shumë që të gjithë së bashku t’ia dalim ta fitojmë këtë betejë sfiduese për vendin dhe gjithë botën.

Jemi në koordinim zyrtar me kryetarët e komunave të Mitrovicës e Zveçanit. Do të koordinohemi, po ashtu, dhe me komunat fqinje në ditët në vijim dhe me institucionet e qytetarët që me kujdes, vetëdisiplinë dhe shumë solidaritet mes nesh të mbërrijmë fitore dhe të shpëtojmë jetë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.

Jam në dijeni për deklaratat e shumta sot të karakterit politik, por po kërkoj si kudo në botë, solidaritet e mirëkuptim. Pandemia Covid-19 është kërcënim për gjithë njerëzimin. Përballimi i saj kërkon durim, përkushtim dhe injorim të dallimeve të ndryshme.

Prandaj, kujdes nga komunikimet e pasaktësuara ngase një minutë deklaratë mund të përkthehet një situatë e rënduar në terren.

I ftojmë qytetarët që të ndjekim këshillat e vendimet tona.

Të dëgjojnë e respektojnë këshillat dhe të jenë të sigurt e të respektojnë instruksionet që zyrtarët policorë, heronjtë tanë të këtyre ditëve, bashkë me mjekët japin në terren.

Të dashura qytetare dhe qytetarë,

Ju lutemi që të shmangni vizitat familjare dhe forma të tjera të grumbullimit brenda familjeve tuaja. Ruajeni shëndetin tuaj edhe të familjarëve.

Të dashur qytetarë kudo ku jeni

  • MENDOHUNI DY HERË PARA SE TË VENDOSNI TË DILNI NGA BANESA.
    MOS GJENI SHKAK PËR TË DALË PATJETËR.
    ÇDO DALJE BART RREZIKSHMËRI TË LARTË.

Gjithçka ka ndërruar në rutinën tonë. Kjo kërkon vetëdijesim të lartë.
Mos u tregoni të shkujdesur.

Prandaj, ju lutemi të:
Qëndroni në shtëpi.
Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShPK-së.
Bashkë do t’ia dalim!

Të ngjashme