Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar të martën para Komisionit për Shëndetësi duke paraqitur detaje nga situata aktuale me pandeminë në vend, raporton Ekonomia Online.
Vitia ka njoftuar se situata epidemiologjike është përmirësuar ndjeshëm, ku ka një ulje prej 70 për qind të rasteve pozitive si dhe numri i rasteve të vdekjeve ka rënë në 50 për qind.
Sipas Vitisë në përmirësimin e kësaj situate e cila pritet të vazhdojë edhe tutje ka ndikuar bashkëpunimi i ministrisë me shumë palë të rëndësishme.
“Sa i përket situatës epidemiologjike në vendin tonë është përmirësuar ndjeshëm, ajo paraqitet e qëndrueshme ku rastet pozitive janë ulur me 70 për qind ne numër mesatar 40 raste. Numri i rasteve të vdekjeve ka një ulje prej 50 për qind. Situata e përmirësuar ka rezultuar edhe me rastet e ulura të personave të hospitalizuar”.
“Kjo situatë e mirë sipas projeksioneve pritet të vazhdojë edhe në vazhdim. Kjo ulje është rezultat i masave të marra, bashkëpunimit me qytetarë, mbikëqyrjen e zbatimit të masave dhe vaksinimin e qytetarëve me prioritet stafin shëndetësor”, ka shtuar ai.
Ministri Vitia ka pohuar se vaksinimi është prioritet dhe deri në fund të vitit beson në vaksinimin e 60 për qind të popullatës dhe sigurimin e 2 milionë dozave të vaksinës, raporton EO.
“Vaksinimi është dhe do të jetë prioritet. Do të dinamizojmë procesin duke zgjedhur kategoritë e të vaksinuarve. Deri në fund të vitit do të kemi deri 2 milionë doza vaksine që të mundësojë që të vaksinohen 60 për qind e popullsisë. Është miratuar plani masiv i vaksinimit edhe në komunat tjera që nënkupton administrimin e një numër të madh të vaksinave”.
“Kemi detajuar rrugët dhe mjetet duke paraparë rritjen e kapaciteteve, mjete mbrojtëse, sigurim të zgjirit të ftohtë për ruajtjen e vaksinave dhe informimin e qytetarëve për vaksinim. Do të rriten kapacitet mjekësore nga 89 mjekë do të kemi 290 mjekë”, është shprehur ai.
“Janë thjeshtëzuar procedurat e aplikimit për qytetarët. Kemi bërë mënjanimin e mungesës së barnave esenciale”.
Armend Zemaj nënkryetar i Komisionit dhe ish-ministër i Shëndetësisë, tha se në ekspozenë e Vitisë si zakonisht pati një lloj vajtimi e jo një plan konkret.
“Insistimi i Komisionit ka qenë që tu ftojmë jo vetëm për gjendjen pandemike. Ajo çka është evidentë është që Kosova ka pasur një situatë të vështirë pandmike në kushtet dhe në rrethanat që jemi”.
“Në ekspozenë tuaj sigurisht që keni bërë një lloj vajtimi dhe jo të paraqisni diçka konkrete”, është shprehur ai.
Zemaj ka kritikuar Vitinë për mungesë të mbikëqyrjes së procesit të vaksinimit, duke shtuar se po mungon një fushatë senzibilizuesve.
Kurse masat e marra anti-Covid Zemaj i ka quajtur më shumë politike, raporton EO.
“Ne kemi parë një proces vaksinimi që nuk mbikëqyret nga ana juaj. Po mungon një fushatë senzibilizuese rreth fushatës së vaksinimit”.
“Sa i përket masave mund të them që kanë qenë të nevojshme, por kanë qenë më shumë masa politike”, ka shtuar ai.
Poashtu Zemaj tha se mungesa e insulinës është evidente dhe qytetarët po përballen me të.
Ndërsa ai është shprehur i bindur se procesi i specializimeve është i rëndësishëm dhe ka kërkuar që t’u gjinden mentorë që të angazhohen të gjithë.
“Procesi i specializimeve është një nga proceset më të rëndësishme të Kosovës, që ka munguar për 5 vjet më radhë”.
“Mjekët e rinj në mungesë të kësaj kanë kërkuar avancim profesional në vendet tjera”, ka përfunduar ai.