Vitin e kaluar u kryen mbi 2 milionë analiza në Biokimi – 500 mijë pacientë morën shërbime

Prishtinë | 08 Shk 2023 | 07:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Klinika e Biokimisë në QKUK ka kryer mbi 2 milionë analiza gjatë vitit 2022, ndërsa afër 500 mijë pacientë kanë marrë shërbime në këtë klinikë, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli.

Sipas Veselit, shumica e pacientëve kanë qenë nga rastet ambullantore, pasi e njëjta është hapur vite më parë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Veseli ka thënë se së fundmi po i kryejnë analiza edhe për pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Të them të drejtën ne si klinikë, si mjekësi laboratorike në këtë rast klinika e Biokimisë Mjekësore, është në shërbim të gjitha klinikave edhe të atyre që janë ambulatore për arsye se ka disa vite që e kemi hapur edhe sektorin e ambulantes në këtë rast dhe realisht brenda vitit 2022 është afër 2 milionë analiza që janë kryer dhe dikund shifra e pacientëve është goxha enorme, afër 500 mijë pacientë që kanë qenë, po flas gjithmonë edhe për rastet ambullantore dhe klinike”, tha Veseli.

Ai tregoi se këtë vit është shtuar numri i rasteve në këtë klinikë, shkaku i gripit. Veseli thotë se numri i analizave që i kryejnë brenda ditës, kap shifrën e 150.

“Është për çudi tash ndoshta për shkak të gjendjes gripoze, tash pas vitit të ri është një fluks jashtëzakonisht i madh i rasteve ambulatorë dhe mesataren diku brenda ditës i kemi 150 pacientë, ka ditë që shkon edhe 180 që janë veç ambulatore dhe nëse flasim edhe tash nga ata që janë të spitalizuar, diku është numri që sillet diku përafërsisht 400, 500 dhe nëse shtohet edhe ato bëhet diku numri 600 ose 700, plus kemi edhe vizitat që dalin jashtë planprogramit tonë siç janë për shembull që i kryejmë Policisë së Kosovës, madje edhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, në anën tjetër e kemi edhe hemodializën që është brenda protokollit mujor dhe dikur nganjëherë ka ditë që hipim përafërsisht gati në shifrën 1000 pacientë që është brenda ditës”, u shpreh Veseli për EO.

Të ngjashme