Në fillim të vitit 2018, pritet të nisë projekti i investimeve 200 milionëshe në hekurudha në qytetin e Ferizajt. Aspekti teknik e procedural është në përfundim e sipër.
Në garë për rikonstruktimin e trasesë 150 kilometërshe janë mbi 10 kompani prestigjioze ndërkombëtare. Përzgjedhja e kompanisë fituese pritet brenda dy tre muajve. Qarkullimi në këtë pjesë të hekurudhës në Ferizaj përpos që paraqet rrezik mbetet më i frekuentuari.
Aksidentet me tren janë të shpeshta, madje edhe fatale. Por, me projektin e rikonstruktimit të hekurudhave, pritet që kjo pjesë e Ferizajt të trajtohet mbi bazën e një studimi që do t`i jap një zgjidhje inxhinierike qarkullimit me trena, raporton televizioni publik.
Në këtë pjesë pritet të ndërtohet një tunel, ose hekurudhat të hyjnë nën tokë apo të zhvendosën nga qyteti.
Zgjidhjet janë diskutuar ndërmjet Qeverisë dhe drejtuesve të hekurudhave si dhe donatorëve.
Projekti për rikonstruktimin e korridorit 10, apo siç njihet ndryshe si linja më e gjatë hekurudhore në Kosovë përfshin trasenë Hani i Elezit-Fushë-Kosovë-Leshak. Rindërtimi i tyre pritet të jetë gati në një periudhë 3-vjeçare.
Investimet për këtë pjesë të hekurudhës tashmë janë siguruar. Janë mbi 200 milionë euro që janë kontraktuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka për Investime Evropiane, Qeveria e Kosovës dhe grantet e Komisionit Evropian