Agjencia Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të OKB-së (UNDP), kanë lansuar garën për vizatimin më të mirë me temën “Si e shohim korrupsionin?”, që organizohet në kuadër të aktiviteteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsion.
Kjo garë ka për qëllim të inkurajojë nxënësit e klasave 6-12 që përmes vizatimit të shprehin perceptimin e tyre mbi korrupsionin; që përmes vizuelizimit, të shprehin se çka është korrupsioni dhe/ose cilat janë pasojat e korrupsionit.
“Në këtë mënyrë synohet diskutimi në mes të prindërve dhe fëmijëve, mësimdhënësve dhe fëmijëve, por edhe në mes të vet fëmijëve në lidhje me korrupsionin, si dukuri negative dhe për pasojat e tij në shoqërinë tonë”, theksohet në një komunikatë shtypi të UNDP-së.
Vizatimet më të mira do të shpërblehen me nga një Ipad. Në tërësi, do të përzgjidhen 12 vizatime më të mira. Këto 12 vizatime pastaj do të vendosen në një kalendar vjetor dhe do të shpërndahen në institucione të ndryshme.
Çmimet do të ndahen më 7 dhjetor. Për më shumë informata rreth mënyrës dhe kushteve të aplikimit klikoni KËTU.