Më 10 dhe 11 janar 2018, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, do të jenë në Kosovë për një vizitë të përbashkët.
Ambasada Gjermane në Prishtinë njofton se gjatë vizitës së tyre, ata do të takohen me Presidentin, Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, si dhe me përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile.
“Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Tema të tjera për t’u diskutuar bëhet e ditur se përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.