Pas një keqkuptimi, vetura Subaru e një gruaje ishte vjedhur aksidentalisht.
Nuk ndodh shpesh që vetura e vjedhur të ju kthehet me një letër kërkim falje dhe paratë për karburantin e shpenzuar. Por kjo i ka ndodhur një pronareje të një veture Subaru në Oregon të SHBA, transmeton Express. Ditën e martë asaj i ishte vjedhur vetura ku kamerat e sigurisë kishin kapur ngjarjen. Ajo kishte publikuar këto imazhe me shpresën se dikush do të identifikonte autorin. Por të nesërmen ajo ishte befasuar kur kishte gjetur veturën të parkuar para shtëpisë me një letër kërkim falje dhe 30 USD për karburantin e shpenzuar.
Kjo kishte ndodhur pasi që një person kishte dërguar shokun e tij t’i marrë veturën e njëjtë Subaru afër adresës ku gjendej vetura e vjedhur. Pasi që kishte arritur afër adresës së caktuar, ai kishte parë veturën Subaru dhe e kishte hapur atë me çelësin e veturës së shokut të tij. Sipas policisë, ky problem shfaqej me disa modele të vjetra Subaru ku çelësi i njërës veturë u bënte edhe veturave tjera.