Me 27 shkurt do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Ky takim, siç dihet mbahet me qëllim arritjen e një marrëveshje për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve. A do të nënshkruhet kjo marrëveshje mbetet të shihet?
Mirëpo, këtu duhet cekur se edhe nëse nënshkruhet si e tillë, asgjë nuk përfundon në këtë datë. Sepse, kjo marrëveshje nuk është as finale, dhe as nuk e përmbyll odiseadën e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë filluar më shumë se një dekadë.
Madje dakordimi për këtë dokument vetëm sa e bënë edhe më të paqartë njohjen e Kosovës nga Serbia, një kusht ky për zhbllokimin ndërkombëtar të shtetësisë sonë. Një pranim eventual i kësaj marrëveshje është vetëm pajtim për parimet e “reja” orientuese për fazën e re të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Nëse janë të vërteta ato që kanë qarkulluar në opinion lidhur me përmbajtjen e këtyre parimeve, atëherë gjuha e përdorur në nenet e saj, përpos që vazhdon të jetë e dykuptimshme, tregon qartë se në saje të këtij teksti, do të dalë një autonomi për një pjesë të Kosovës.
Ndonëse nuk specifikohet se në cilën, megjithatë mund të merret me mend se për cilin rajon është fjala. Neni 2 i kësaj marrëveshje flet hapur se si “palët duhet të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë dhe autonomisë dhe integritetin territorial të tyre”. Atëherë shtrohet pyetja se për çfarë autonomie është fjala këtu?
Përfshirja e këtij nocioni në kuadër të parimeve të përgjithshme krijon dyshime që pikërisht në këtë nen të jenë hedhur bazat e krijimit të një distrikti autonom për komunat në pjesën veriore. E statusi i të cilave nuk do të thotë se mund të jetë identik sikur ai Republikës Serbe në Bosnje. Por në këtë shtet ka edhe modele tjera që mund të përdoren si shembull në funksion të këtij qëllimi. Sikur bie fjala ai i qytetit të Brçko-s.
Si çështje tjetër problematike mbetet neni 6 këtij dokumenti. Në të thuhet “derisa marrëveshja bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE me një momentum të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.
Me këtë formulim pala kosovare në mënyrë eksplicite zotohet ndërkombëtarisht që Serbia nuk e ka të domosdoshme ta njoh Kosovën. Ngase kjo marrëveshje nuk e specifikon në mënyrë të qartë qëllimin final të saj, sikurse se do të ishte njohja ndërmjet dy vendeve.
Konstatimet se Serbia do ta njeh de fakto Kosovën etj me këtë nënshkrim janë retorike për t’i hedhur sy opinionit. Ka ekspertë që argumentojne se Serbia këtë e ka bërë edhe më herët. Sipas tyre, ajo me marrëveshjen për Asociacionin ishte pajtuar që vlerësimin përfundimtar për këtë marrëveshje duhet ta ofrojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Pra përkundër faktit se Kosova është pjesë e Serbisë sipas kushtetutës së këtij shteti, Serbia u dakordua që autoritet final për ta vlerësuar juridikisht atë që ishte nënshkruar mes palëve të bëjë Gjykata Kushtetuese e një shteti tjetër.
Me nenin 7 të këtij dokumenti vuloset obligimi i Kosovës për t’i garantuar një “nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë”. Kjo i bie që ky nivel që aktualisht e gëzon ky komunitet nuk është i duhuri. Prandaj, duhen të drejta shtesë.
Mirëpo, nëse në marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, termi kontestues për Asocacionin ishte “full overview”, tashmë flitet për “self-goverment”. Që nënkupton se mund të kemi forcim të kompetencave për këtë entitet sa i përket këtij niveli të qeverisjes. Dhe se Kosova pajtohet që ato të drejta që janë të garantuara me Kushtetuan aktuale dhe Planin e Ahitsarit nuk janë adekuate. Prandaj, duhet një nivel tjetër më i duhur. Dhe kur marrim parasysh se në këtë dokument janë përdorur nocionet vetëvendosje dhe autonomi, atëherë nuk përjashtohet as mundësia që ajo pjesë që do të jetë autonome, dhe që do të ketë të drejta shtesë nga këto që aktualisht i ka, nesër mund të kërkojë edhe vetëvendosje. Kjo marrëveshje nuk e ndalon këtë skenar. Sepse Serbia mund të arsyetohet që nuk mund ta pengojë një entitet autonom brenda Kosovës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve që jetojnë brenda tij, të kërkojë vetëvendosje.
Po ashtu si pjesë e obligimeve që merr Kosova mbetet edhe “formalizmi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
Përgjithësisht ky cikël i ri i dialogut, për tema të veçanta, shënon regres edhe në raport me platformën për dialog që drejtohej nga Skënder Hyseni, nën qeverisjen e Abdullah Hotit. Sepse kjo e fundit bazohej mbi parimin se “nuk ka dakordim për asgjë deri sa nuk ka dakordim për gjithçka”. Që i bie se palët mund te negocionin për tema të veçanta, duke i ndarë në kapituj, mirëpo ato nuk kishin validitet derisa Serbia të mos e njoh Kosovën. Parime këto që qëndrojnë në antimoni me plotë me këto të marrëveshjes që po përgatitet ta nënshkruajë Albin Kurti me Aleksander Vuciqin. Sepse, me këtë pajtim obligohen palët për t’i zbatuar marrëveshjet për tema të veçanta, por Serbia nuk detyrohet ta njoh Kosovën.
Mjerisht, ky degradim i dialogut po ndodh nga një lider që sa ishte në opozitë premtonte se njohja e Kosovës nga Serbia ishte kusht për të për dialog. E, i cili zotohej për makro-shengen kombëtar, aleanca ballkanike kundër Serbisë, anulim të Asociacionit etj etj. Dhe mbi këtë platformë ai i fitoi zgjedhjet. Mirëpo, kjo fitore në këtë mënyrë, nuk paraqet asgjë tjetër, pos vjedhje të vullnetit politik dhe demokratik të qytetarëve të Kosovës. Sepse, ai është mandatuar mbi këto premtime, dhe jo për veprimet që po i ndjek aktualisht.
Albin Kurti është sjellë me popullin, sikur një dashnor bandill, që përgjërohet para një vajze deri sa ta shtie në dorë. E josh atë me lloj-lloj premtime për parajsën që e pret në krahet e tij. I ofron zgjidhje për të gjitha ëndrrat e saj me një shkop magjik. Mirëpo, pasi lidhja e tyre formalizohet në raporte kontraktuale martesore, ai fillon dhe e nxjerr karakterin e tij të vërtet abuziv, duke u dhënë pas aventurave tjera. Dhe arsyetimi i tij është se tashmë ajo më nuk mund të vendos përsëri, sepse kete e ka bërë me vullnet të plotë të saj ditën e martesës.
Kështu, edhe kryeministri pak a shumë po e manifeston këtë intencë. Ngase sipas tij, populli ka vendosur tashmë ditën e të dashuruarave, pavarësisht faktit se ai kishte vendosur mbi premtime krejtësisht tjera. Prandaj, sjellja e Albinit sot gjithnjë e më shumë po i ngjason asaj të Simon Leviev, të prezantuar në dokumentarin, “The Tinder Swindler” në plaftormën Netflix, sa sa një lideri të përgjegjëshem shtetëror.
Shtegdalja nga ky paradoks mund te gjendet vetëm nëse Albin Kurti i shpall zgjedhjet e parakohshme dhe konkurron para popullit me këtë marrëveshje. I tregon atij se është pajtuar për autonomi e të drejta shtesë për komunitetin serb pasi ato që ua ka garantuar “regjimi i vjetër” s’janë adekuate, për mosnjohje nga Serbia dhe se po nënshkruan marrëveshje pa u zbardhuar fati i të pagjeturve, etj etj. Ashtu siç kishte bëre ish-kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras. Sepse edhe ai para se të vinte në pushtet i premtoi popullit grek mospagesën e borxheve, çlirim “ezopik” nga çdo obligim ndërkombëtar, sovranitetit të plotë, deri dalje nga BE-ja etj. Mirëpo, me t’u ngjitur në lartësitë e Olimpit politik, ai i filloi negociatat me BE-në për çështjen e borxheve. Bëri marrëveshje me eurokratet e financave në “kafazët” burokratike të këtij entiteti.
Por, në fund u kthye para atyre që e mori mandatin dhe deklaroi se u kam premtuar të kundërtën e asaj që e kam bërë. I ndau rrugët me figurën e “majtizimit hedonist”, ish-ministrin financave Yanis Varoufakis, dhe deklaroi se e kërkoi edhe një herë legjitimitetin nga ju, që t’i zbatojë ato që i kam negociuar, por nuk i kam premtuar para jush.
Model ky i kundërt me atë Albin Kurtit. Sepse ky i fundit e ka fituar pushtetin me ide sublime dhe heroike, por tash i është i përveshur punës që brenda ta mbajë atë me mashtrime, klientelizim dhe nepotizëm duke i kapur të gjitha institucionet publike në formën e një pater familias, kurse reputacionin e munguar ndërkombëtar ta fitojë me kompromise të reja mbi të ardhmen e Kosovës në dialog me Serbinë.
Prandaj, kushdo që e ratifikon këtë marrëveshje nga opozita në Kuvendin e Kosovës, do jetë përgjegjës dhe bashkëfajtorë për këtë degradim dhe uzurpim të demokracisë. Kalimi i saj një këtë mënyrë të përvjedhur dhe tinëzare, nuk është në interes të Kosovës, por të pushtetit të Albin Kurtit.
Opozita e ka shansin që shumë shpejt ta dëshmojë vetën se në cilën anë është. Ndonëse me veprimet e deri tanishme ajo ka treguar se më shumë i shërben të dytit se sa së parës. Mbase shpëtimi i vetvetes për të sot është interes më primar sesa restaurimi i demokracisë së uzurpuar kosovare.