Vjedhja në një kishë në Kllokot: Policia jep detajet

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth raportimit të vjedhjes në një kishë në fshatin Grncar të Kllokotit.

Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat policore  për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore.

“Ashtu siç është bërë e ditur mbështetur në hetimet e para policore, dyshohet se kjo vjedhje është realizuar nga N.N. person/a të dyshuar, të cilët dyshohet se përmes dy dritareve kanë hyrë brenda në objekt dhe kanë kryer vjedhjen e parave në vlerë prej rreth (2.000) dy mijë dinarëve, (afërsisht rreth 16 gjashtëmbëdhjetë euro)”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia njofton se në vendin e ngjarjes përveç njësiteve për hetimin e krimit, njësitit të forenzikes së nivelit rajonal, janë angazhuar edhe njësite policore nga krimet e rënda të nivelit qendror, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.

“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr sipas procedurave të parapara ligjore dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është intervistuar pala ankuese i cili ka deklaruar se përpos dëmtimit (thyerjes) së dy dritareve dhe vlerës së parave të cekura nuk është shkaktuar ndonjë dëm tjetër. Policia e Kosovës, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër të gjitha llojeve të krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla (tel. 192)”, përfundon njoftimi i Policisë.

Të ngjashme