Një vjedhje që ndodhi në shkurtin e 2025 në Prizren, ka bërë që tani Policia e Kosovës të kërkojë ndihmën e qytetarëve për të arrestuar të dyshuarin, të cilit i është publikuar një fotografi.
“Më datë 22.02.2025, rreth orës 19:50, Stacioni Policor në Prizren ka pranuar një informatë se në rrugën “Kamber Bruti” në Prizren, rreth orës 19:00, një person i panjohur është hasur duke dalë nga shtëpia e të dëmtuarit. Sipas deklaratës së të dëmtuarit, personi në fjalë – i dyshuari – ka marrë para të gatshme si dhe stoli ari nga shtëpia, me vlerë rreth 3,000 euro. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është siguruar fotografia e të dyshuarit, mirëpo deri më tani nuk është arritur identifikimi i tij. Me qëllim të ndriçimit të rastit, Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar autorizim, në pajtim me nenin 76, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), për publikimin e fotografisë së të dyshuarit në mediume televizive dhe rrjete sociale. Kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë në “Facebook”.
Ata kanë bërë thirrje që të njoftohet policia në rast se ndonjëri nga qytetarët ka informacione rreth personit të dyshuar për vjedhje të rëndë.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informatë apo njohuri për vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografi, të kontaktojnë Policinë në Prizren përmes numrit 192, në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të Facebook-ut të Policisë së Kosovës, apo në cilindo stacion policor në vend”, përfundon njoftimi.
