Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari” kanë njoftuar se për shkak të grevës, mund të ketë vonesa në fluturimet e parapara nga ora 08:00 deri në orën 10:00.
Përmes një njoftimi për media ata thonë se kjo rrjedh si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme nga punonjësit që janë pjesë të grevës, ndaj punonjësve që janë të gatshëm të punojnë.
Ata deklarojnë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për grevë, ndonëse sipas tyre nuk kanë marrë në konsideratë se do të ketë veprime jashtë kornizave ligjore të grevave.
“Andaj iu kërkojmë ndjesë të gjithë udhëtarëve për vonesë, meqenëse ne kemi marrë të gjitha masat paraprake për GREVE mirëpo duke u bazuar në takimin e djeshëm me Udhëheqësin e Sindikatës së ANP-së, ne nuk kemi marrë në konsiderate se do të ketë veprime jashtë të gjitha kornizave ligjore të grevave për të penguar procesin e punës”, thuhet në njoftim.
Ata kanë njoftuar se menaxhmenti i ANP-së do të shqyrtojë të gjitha rastet veç e veç dhe do të marrin masa ligjore ndaj personave përgjegjës.