Sipas një raporti të përvitshëm të “The Economist”, kryeqyteti austriak, Vjena, kryeson sërish në raportin e qyteteve ku jetohet më mirë në botë.
Vjena ia rrëmbeu vendin e parë qytetit të Zelandës së Re, Auckland, i cili zbriti në vendin e 34, për shkak të kufizimeve të pandemisë së koronavirusit, sipas raportit të Njësisë së Inteligjencës së “The Economist”, i publikuar të enjten.
“Vjena, e cila renditej e 12-ta në klasifikimin tonë në fillim të vitit 2021, për shkak të mbylljes së muzeve dhe restoranteve, është rikthyer në vendin e parë, ashtu si në vitin 2018 dhe 2019”, – lexohet në raport.
“Stabiliteti dhe infrastruktura e mirë janë karakteristikat kryesore të qytetit sipas banorëve, të mbështetura nga kujdesi i mirë shëndetësor dhe mundësitë e shumta për kulturë dhe argëtim”.
Melburni ka ruajtur vendin e tij si një nga qytetet ku jetohet më mirë, duke u renditur i 10, ndërsa qytetet e tjera australiane kanë dalë nga renditja e 10 vendeve të para në botë ku jetohet më mirë. Vitin e kaluar, Brisbane, Adelaide dhe Perth, renditeshin të gjithë në top 10, por kanë zbritur në klasifikim përkatësisht në vendin e 27, 30 dhe 32.
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, nuk është përfshirë këtë vit në renditje, pas pushtimit të vendit nga Rusia në fund të shkurtit, ndërsa qytetet ruse, Moska dhe Shën Peterburgu, kanë zbritur në renditje për shkak të “censurës” dhe ndikimit të sanksioneve nga vendet perëndimore.
Europa krenohet me 6 qytete në “top 10”
Kryeqyteti austriak ndiqet nga ai i Danimarkës, Kopenhagën, dhe nga qyteti zviceran, Zyrihu. Qyteti zviceran i Gjenevës renditet i 6-ti, Frankfurti (7) dhe Amsterdami (9).
Edhe Kanadaja regjistroi rezultate të mira. Calgary renditej i 4-ti, ndjekur nga Vankuveri (5) dhe Toronto (8).
Osaka (Japoni) dhe Melburni (Australi) ndajnë së bashku vendin e 10-të. Kreyqyteti i Francës, Parisi, u rendit i 19-ti, duke u ngjitur me 23 pozicione krahasuar me vitin e kaluar.
Kryeqyteti belg, Brukseli, u rendit i 24-ti, menjëherë pas qytetit kanadez të Montrealit.
Në klasifikimin e këtij viti, kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar, Londra, u rendit në vendin e 33-të, në renditjen e qyteteve ku jetohet më mirë në botë, pesë pozicione pas Manchester (28).
Qytetet spanjolle, Barcelona dhe Madridi, renditen përkatësisht në vendin e 35-të dhe 43-të.
Milano u rendit në vendin e 49-të, Nju Jorku (51) dhe Pekini (71).
Kryeqyteti i Libanit, Bejruti, i cili është shkatërruar nga shpërthimi i një porti në vitin 2020 dhe po përballet me një krizë financiare paralizuese, nuk është përfshirë në renditjen e vendeve për biznes.
Edhe Kievi, pas pushtimit rus më 24 shkurt, ka detyruar “The Economist” të ndërpresë sondazhin mbi qytetin. Kryeqyteti i Rusisë, Moska, ka zbritur në renditjen e qyteteve ku jetohet më mirë në botë me 15 pozicione, ndërsa Shën Peterburgu, me 13.
“Rritja e censurës shoqëron konfliktin – lexohet në raport. – Qytetet ruse po përballen gjithashtu me kufizime në kulturë dhe mjedis, si rezultat i sanksioneve ekonomike perëndimore.”
Edhe qytete të tjera të Europës Lindore u cilësuan më pak të qëndrueshme si pasojë e “tensioneve diplomatike në rritje”, për shkak të luftës në Ukrainë.
Kryeqyteti i Sirisë, Damasku, renditet ndër vendet më të këqija për të jetuar në botë.
Në fund të listës renditen edhe Lagos (Nigeri), Tripoli (Libi), Algjeri (Algjeri) dhe Karaki (Pakistan). Nga dhjetë qytetet me vlerësimin më të ulët, shtatë janë nga Lindja e Mesme dhe Afrika. (The Guardian)