Vjosa Osmani: LDK s’i punon askujt pas shpine, askush të mos bie pre e konspiracioneve të Vuçiqit

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani, ka thënë se askush në Kosova nuk duhet të ndikohet nga konspiracionet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

”Jo rastësisht Aleksandar Vucic ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vucicit”.

Osmani përmes Facebook, ka thënë se LDK ka ndërtuar dhe insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin.

”Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin. LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vucicit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë”.

Të ngjashme