Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur së fundmi në zyrën e saj artistin e njohur, Gjon Muharremaj.
Gjoni i cili në emërimin artistik njihet si Gjon’s Tears, i bëri krenarët shqiptarët sivjet duke arritur të renditet i treti në Eurovision, pasi përfaqësoi Zvicrën me këngën “Tout l’Univers”.
Osmani teksa i ka dhuruar mirënjohje këngëtarit me prejardhje nga Theranda, nuk i ka kursyer edhe disa fjalë miradie për të në një postim në rrjetet sociale.
Ajo ka shpërndarë në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram një fotografi nga takimi, në mbishkrimin e së cilës vlerësoi lart figurën e Gjonit si artist.
“Një bisedë frymëzuese me Gjon Muharremin, që tashmë e tërë bota e njeh si Gjon’s Tears – zëri i mrekullueshëm që qëndron pas këngës Tout l’Univers që bëri bujë në edicionin e sivjetëm të Eurosong. Tek ai pash një pasion, përkushtim, e atdhedashuri të pastër e për t’u admiruar. Jam e sigurt që këto atribute do të të udhëheqin drejt majave të reja. Paç gjithnjë suksese, Gjon. Vazhdo të na bësh krenar”, ka shkruar presidentja Osmani.
Gjoni përndryshe është mirëpritur në takime të tilla edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Therandës, njëherësh kushëriri i tij, Bali Muharremaj.