Kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, bashkë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kanë mbajtur një takim me qytetarë në Ferizaj.
Ajo nga atje tha se pjesëmarrja e madhe në këtë tubim është tregues që PDK-ja do të shkojë në opozitë.
“Është e jashtëzakonshme me pa këtë sallë plot me rini. Jemi falënderues njerëzve të vjetër të partisë që për tri dekada na ndihmuan neve të rinjve ta duam shtetin tonë.
“Në Ferizaj po e shoh që përfundimisht po e çojmë PDK-në në opozitë. Ferizaji në mes demokracisë dhe anarkisë po zgjedh demokracinë”.
“Më 6 tetor nuk ka asgjë që do ta ndalë fitoren e LDK-së. Dhe nuk ndodh që ne t’ju zhgënjejmë për fjalën që e kemi mbajtur dhe për punën që e ka bërë LDK-ja në punën e ndershme në mbrojtje të shtetit”.
“Ne dallojmë nga të gjithë të tjerët sepse kemi një ekip të pastër si loti para ligjit dhe para Zotit me ndërgjegje dhe punë të ndershme. LDK-ja e ka çdo derë të hapur, çdo kandidim. Ne kemi plan qeverisës të bazuar në ekspertizë, në vëmendje e ka familjen që është shtylla”.
Osmani ka kritikuar dukuritë e presionit të shtetit ndaj bizneseve. “Haraçi dhe presioni mbi bizneset do të ndërpritet në momentin që qytetarët e Kosovës do ta vendosin votën e lirë për LDK-në më 6 tetor. Shteti do të bëhet përkrahës, e jo mjet presioni mbi bizneset. Do t’i mbrojmë bizneset dhe të drejtat e punëtorëve. 8 orë punë dhe asnjë sekondë ma shumë kemi premtuar”, tha Osmani.
Muharrem Sfarqa, kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj, ka thënë se i gjithë Ferizaj është pjesë e fitores së LDK-së dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Ferizaj mirëpret liderin tonë Mustafa dhe kryeministren Osmani. Osmani do ta rikthejë për së mbari shtetin e Kosovës. PAN-i ka plaçkitur dhe gllabëruar paranë publike. Këtij modeli të keq të qeverisjes po i vjen fundi. Jemi bashkuar të gjitha gjeneratat për ta përkrahur kryeministren Vjosa Osmane”, tha Sfarqa.
Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët e LDK-së për deputetë nga kjo komunë: Muharrem Sfarqa, Saranda Musliu, Gëzim Kokollari, Adem Salihaj, Dardan Bibaj, Besa Beqiri Zejnullahu dhe Ymri Hashani.