Vlera e kriptovalutës më të madhe në botë nga kapitali i tregut, Bitcoin, ka arritur në mbi 10 mijë dollarë në natën e premte.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo kriptovalutë ka shënuar një rritje duke arritur në 10,839 dollarë për një monedhë dixhitale, vlerë kjo më e larta që nga marsi i vitit 2018.
Monedha më e popullarizuar është ende shumë më poshtë vlerës së saj më të lartë prej afërsisht 20,000 dollarë, e cila u regjistrua në dhjetor të vitit 2017.
Ky vit ka qenë një vit i mbarë për këtë kriptovalutë, kjo pasi që filloi në rreth 3,700 dollarë për monedhë më 1 janar, por çmimi i kriptovalutës është gati trefishuar që nga ajo kohë.
“Asnjë treg tjetër në 45 vitet e tregtisë sime nuk ka shënuar rritje kaq parabolike në këtë mënyrë”, ka shkruar tregtari veteran Peter Brandt në Twitter.
Disa analistë e lidhin rritjen e vlerës së kriptovalutës dhe ritmin e tyre të fundit me lirimin e kriptovalutës nga Facebook, që quhet Libra.
Më parë këtë muaj, gjiganti i medias sociale lëshoi një dokument të botuar që shpjegonte projektin, i cili do të fillojë në vitin 2020.
Siç ishte bërë e ditur, bëhet fjalë për një kriptovalutë e re që synon të sigurojë pagesa online të shpejta, të lira dhe të sigurta nëpërmjet telefonave të mençur anembanë globit, duke anashkaluar sistemin tradicional financiar.
Ishte thënë se projekti paraqet një shtytje të mrekullueshme nga Facebook në një industri rrënjësisht të re dhe me reputacion të rrezikshëm, edhe pse kompania vazhdon të vuajë nën peshën e dy viteve të skandaleve, duke filluar nga kriza të shumta të privatësisë deri në implikimin e saj në përhapjen e gjuhës së urrejtjes që ushqente gjenocidin në Mianmar.
Megjithatë, mediat shkruajnë se synimi i Facebook për të zhvilluar asetin e ri dixhital në partneritet me disa korporata të tjera ka shkaktuar tashmë disa shqetësime midis zyrtarëve evropianë dhe ligjvënësve të SHBA-së.