Me rastin e vdekjes së avokatit Nikë Lumezi, babait të kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, është mbajtur Mbledhje Komemorative, organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, tha se Nikë Lumezi ka lënë një veprimtari të tërë pas, derisa u shpreh se do ta vazhdojnë rrugën e tij, raporton Ekonomia Online.
“Ka shumë për të thënë për veprimtarinë e tij, ka lënë një bagazh të madh që të vazhdojmë rrugën e tij më tutje”.
I biri i Nikë Lumezit, Alberti, u shpreh se krahas pikëllimit ngushëllohen me faktin se patën një prind shembull.
Tutje, ai tha se babai i tij i dëshmoi aftësitë e jashtëzakonshme si gjyqtar dhe në pozita të tjera duke mos kursyer asgjë për shtetin e tij, raporton EO.
“Na mësoi si t’i përballojmë vështirësitë në jetë. Fjalën e tij e patëm udhërrëfyes konkret, ndërsa veprat e tij shembull. Fjalët e tij na dhanë guxim dhe vullnet për jetë dhe qëllimet më të larta”.
“Aftësinë dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm e dëshmoi si gjyqtar e në detyrat më të larta në Kosovë, për të cilën nuk kurseu asgjë deri në fund të jetës”.
Ramë Gashi, ish-kryetar i Odës dhe bashkëpunëtor i Nikë Lumezit, tha se kanë humbur një mik, një koleg dhe një profesionist të veçantë.
Gashi vlerësoi se kontributi i Lumezit në sistemin legjislativ të Kosovës ka qenë i përkryer.
“E kujtojmë si juristin, avokatin e gjyqtarin me profesionist me principe të mirëfillta. Ishte një njëri i afërt dhe i matur për të gjithë. Ai tregonte gjithmonë respekt për të tjerët. Ai ka dhënë kontributin e tij të përkryer në hartimin e ligjeve dhe në zbatimin e tyre si gjyqtar. Nga viti 1993 kontribut të çmuar dha edhe si avokat”.
Bashkëpunëtorja e Nikë Lumezit, Virgjina Dumnica, e përlotur rrëfeu disa kujtime me gjyqtarin e ndjerë, të cilin tha se do ta kujtojë gjithmonë me dashuri e respekt.
“Ishim në një ndërtesë në Gjykatën Supreme dhe shpesh thirrshim gjyqtarë me shumë dinjitet me na shpjegu, me qenë zbërthyes të legjislacionit. Tërë jetën e kujtoj me shumë dashamirësi kur kemi pirë kafe bashkë, por edhe punën. Më ka ndihmu kur ai u bë zëvendës i Avokatit të Popullit, shumë shpesh shpjegojke parime të të drejtave të njeriut”.
Në orën 11:00 nderimet për avokatin Lumezi vazhdojnë me një meshë, në Katedralen e Prishtinës. Pas saj, kortezhi i funeralit niset për në varrezat e Prizrenit ku të ndjerit do t’i jepet lamtumira e fundit në orën 14:00.