Ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, ka thënë se në javët e fundit ka pasur shpërthim të hovshëm të virusit në Çeki, duke shtuar se nuk ka pasur kërkesa të mëdha për kthim në Kosovë të shtetasve kosovarë.
Ai ka thënë se numrat janë rritur, duke shtuar se vetëm të premten e kaluar ka pasur mbi 11 mijë raste të reja të infektimit.
Vllahiu ka thënë se Çekia po përballet me valë të vështirë të pandemisë, dhe që nga data 5 tetor ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme prej 30 ditësh.
Ai ka theksuar se kjo është hera e dytë që vendi ka shkuar në gjendje të jashtëzakonshme.
“Çekia ka marrë hapa shumë konkret në ndalimin e përhapjes së sëmundjes. Janë mbyllur shkollat fillore dhe të mesme, universitetet e restorantet. Ka një numër të madh të masave që janë marrë në Çeki, përmes të cilave po pretendohet të ngadalësohet përhapja e kësaj sëmundje”, ka thënë ai.
Vllahiu ka thënë se ka një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë atje, duke shtuar se si ambasadë kanë provuar t’i ndihmojnë dhe t’iu dalin në ndihmë sidomos studentëve.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe të pandemisë Çekia e kishte futur Kosovën në zonën e kuqe të pandemisë.
“Ka pasur pak lëvizje turistike për shkak të pandemisë, porse ambasada iu ka dalë në ndihmë. Ne kemi pasur udhëzimin e njëjtë nga MPJ-ja e Kosovës për t’i evakuuar apo ndihmuar qytetarët, dhe kemi bërë përpjekje për të organizuar transportin dhe kthimin e tyre. Ne jemi përkujdesur që të organizojmë transportin nga Polonia e Çekia për në Kosovë”, ka thënë ai.
Vllahiu ka thënë se në valën e parë të COVID-19, ka pasur mbi 20 qytetarë që kanë ardhur t’i vizitojnë familjarët dhe kanë mbetur në Cekim e që sipas tij, këta njerëz janë ndihmuar. Sipas tij, numri ka rënë pasi qytetarët kanë dashur të kthehen në Kosovë përmes rrugëve tokësore.
Mbi 1300 qytetarë të Kosovës janë zyrtarisht në Ceki, por nuk kemi pasur numër të madh të kërkesave për t’u kthyer në vendlindje.
Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se gjatë periudhës së fundit ka pasur pak kërkesa të shtetasve kosovarë të kthehen në Kosovë.
Duke folur për punën e ambasadës atje, ai ka thënë se situata me COVID-19 ka ndikuar në shtyrjen e disa takimeve.
“Ajo çfarë është e mirë është sepse ne mund të komunikojmë në mënyrë virtuale. Ne nuk kemi ndërprerë punën tonë konsullore. Çekia e ka trajtuar Kosovën me respekt në të gjitha fushat. Ka pasur paralajmërim për vizita të zyrtarëve të Çekisë në Kosovë, por për shkak të situatës me virusin, kjo nuk ka ndodhur, porse do të ndodhë”, ka thënë ai.
Vllahiu ka thënë se kanë komunikime të shpeshta me të gjitha misionet diplomatike, duke shtuar se kanë vazhduar të tregojnë se Kosova është faktor i stabilitetit.