Analisti politik, Arbër Vllahiu, duke komentuar për ditën e dytë të mbajtjes së “Ballkanit të Hapur”, tha që ishte risi përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve në këtë proces.
“Ajo që duket të jetë risi është përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve përmes ambasadorit amerikan Hill dhe përmes deklaratës së Escobarit; kjo mund të jetë risia e përfshirjes kaq të drejtpërdrejtë dhe të thellë të SHBA-ve”.
Vllahiu në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, tha që nuk sheh ndryshim të politikave të SHBA-ve, në raport me Ballkanin e Hapur.
“Në përgjithësi, nuk shoh që ka pasë ndonjë ndryshim të politikave të SHBA-ve në raport me Ballkanin e edhe me ‘Open Balkan’, pasi që më 4 shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, në praninë e presidentit Trump dhe kjo është marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik në të cilin përfshihet njëra prej pikave që ka të bëjë me atëherë ‘Mini Shengenin’ dhe tani ‘Open Balkan’.
“Ska ndryshime të mëdha – ‘Open Balkan’ nuk është perspektivë vetëm serbe dhe nuk është perspektivë vetëm ta quajmë në kuadër të perspektivës ruse. ‘Open Balkan’ është një nismë shumë më e gjerë, e drejtpërdrejtë dhe origjinale se që e mendojnë lidershipi në Kosovë, ose kushdo tjetër. ‘Open Ballkan’ ofron një mundësi siç e ka ofruar edhe procesi i Berlinit dhe nismat e tjera, ose pjesa e takimeve të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor e cila fatkeqësisht është shuar”.
Tutje Vllahiu tha që hezitimin që e ka Kosova në lidhje me këtë nismë, duhet ta thotë hapur.
“Open Balkan” flet më shumë për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fusha të ndryshme posaçërisht të ekonomisë. E di frikën që mund ta ketë lidershipi në Kosovë, edhe hezitimin që mund ta ketë – por hezitimet që i kanë duhet të shprehen. E kemi kuptuar që ka një problem që Serbia s’e njeh Kosovën, në dokumente e të tjera, por të gjitha këto duhet të thuhen aty ku duhet siç e tha Escobar në forumin në të cilin u mbajt në Ohër”, tha ai.