Normalizimi përfundimtar i marrëdhënieve reciproke do të bëhet pasi që Serbia ta njohë Kosovën shtet të pavarur ashtu siç ajo i ka njohur pesë shtetet tjera të dala nga ish- Jugosllavia, ka deklaruar për “vijesti” Azem Vllasi.
“Ende nuk është e qartë as kur dhe as si do të përfundojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel. Bisedimet kanë filluar për normalizim marrëdhëniesh kur statusi i Kosovës si shtet u zgjidh në vitin 2008. Në Beograd thonë se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe shtojnë se statusi i saj më pas duhet të zgjidhet”, ka thënë Vllasi, transmeton Koha.net.
Ish-funksionari komunist në ish-RSFJ ka theksuar se pala kosovare nuk do të bisedojë për statusin shtetëror të Kosovës sepse atë e kanë njohur 115 shtete anëtare të OKB-së dhe as për integritetin territorialë pasi kufijtë janë përfundimtarë.
“Pozicioni i palës serbe është paksa konfuz. Në Beograd nuk mohojnë se Kosova është shtet, por Serbia nuk dëshiron ta njohë. Aleksandar Vuçiq përsërit vazhdimisht se Serbia është për kompromis por nuk tregon për çfarë dhe si”, tha ai.
Për Vllasin “Plani Ahtisaari”, është vija e fundit e kompromisit të cilën e ka pranuar pala kosovare.
“Vuçiq thotë se nuk mundet që njëra palë (Kosova) t’i fitojë të gjitha e pala tjetër (Serbia) t’i humbasë të gjitha. Kjo është nebulozë sepse Kosova s’i ka asgjë borxh Serbisë”, tha Vllasi.