Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka përshëndetur dhe falënderuar zyrtarët amerikanë për caktimin e një date të re për takimin në mes të Kosovës e Serbisë në Uashington.
Emisari special i Donald Trump, Richard Grenell, njoftoi përmes Twitter-it se takimi i shtyrë një herë, pritet të mbahet me dy shtator.
Kurse Çitaku, po në Tëitter, ka falënderuar Grenell-in dhe asistentin e presidentit amerikan për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Robert C. O’Brien, për mbështetjen që po i japin dialogut.
“Richard Grenell dhe Robert C. O’Brien vetëm sa lajmëruan ftesat për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Faleminderit që po vërtetoni se vendet e lira dhe demokratike munden gjithmonë të llogarisin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Çitaku.