Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA i ka reaguar ministres së Jashtme, Donika Gërvalla për fjalën e saj sot në Forumin e Dubrovnikut lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Gërvalla në këtë forum ka thënë se Kosova duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë duke luftuar krimin dhe korrupsionit dhe s’duhet ta fajsojë BE-në për gabimet e veta.
Çitaku ka shkruar se Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka konfirmuar atë që e kanë konfirmuar Komisioni dhe Parlamenti Evropian se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash.
“E nderuara Ministre, para pak javësh në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë konfirmoi atë të cilën Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po e përsërisin tani e disa vite: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Keni parasysh, qytetarët e Venezuelës, Kolumbisë e shumë të tjerë deri në Taiëan mund të udhëtojnë pa viza në BE. Askush nuk po thotë se Kosova është gati sot të jetë anëtare e BE-së, sepse ne kemi ende për të bërë në luftën kundër korrupcionit, në sundimin e ligjit dhe në përjetësimin e vlerave evropiane”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë poashtu se detyra e Gërvallës është që ta paraqesë Kosovën në dritën e saj më të mirë.
“Por, ta keni të qartë, as brenda BE-së nuk ka uniformitet në zbatimin e vlerave dhe standardeve. Jo të gjitha vendet e BE-së janë në nivelin e Finlandës apo Suedisë. Por, mbi të gjitha, ju jeni Ministre e Jashtme e Kosovës. Detyra e juaj është ta plasoni Kosovën në dritën e saj më të mirë. Jo të mos e thoni të vërtëtën, por as mos ta shtrembëroni atë”, ka shkruar ajo.
Gërvalla në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut ka lënë të nënkuptohet se vendi akoma nuk ia ka dalë në integrimin drejt BE-së si dhe për liberalizim të vizave.
“Duhet të vlerësohet, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe prapambetjes, Bashkimi Evropian na ka ofruar më të mirën që ka mundur, perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm në historinë e Evropës”.
“Për këtë arsye, e më shumë për veten tonë, ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, duhet që ta zbatojmë sundimin e vërtetë të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, duhet të garantojmë liri të medias, duhet të zhvillojmë vërtetë reformën në drejtësi… nuk ia kemi dalë akoma, dhe nuk kemi arsye ta fajësojmë Evropën për gabimet tona”,njofton klankosova
“Askush këtu nuk duhet ta mashtrojë veten duke thënë ose menduar se do të mund të kishim qasje pa i përmbushur detyrat e shtëpisë, Kosova, qeveria jonë dhe qytetarët tanë nuk do të bllokohen drejt ndarjes, cinizmit dhe alternativave tjera siç është i ashtuquajturi mini-shengeni”, ka thënë Gërvalla.