Vlora së shpejti me një tjetër shëtitore, nga Tuneli deri në Orikum

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Qytetit bregdetar të Vlorës do t’i shtohet një tjetër shëtitore, që do të jetë krenaria e ndryshimit të vijës bregdetare në katër vitet në vijim.

Kështu deklaroi sot kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

“Kjo shëtitore fillon nga zona pas tunelit e në vazhdim dhe ka një gjatësi prej 3 km, projekt që do të ketë një korsi biçikletash të dedikuar gjatë gjithë rrugës automobilistike. Po ashtu do të ketë një korsi për njerëzit që duan të shëtisin në këmbë duke parë ulje ngritjet e terrenit , zonën shkëmbore dhe gjithë gjërat e tjera, duke përmirësuar aksesin në të gjitha plazhet”, theksoi Leli.

Pra, vijoi Leli, do të ketë rrugë të dedikuar, jo nga rruga kryesore si deri më sot ku njerëzit duhet të gjejnë rrugë për të zbritur në plazhet fantastike që Vlora ka në zonën pas tunelit.

Sipas tij, do të ketë standardizim të gjithë vijës bregdetare në vazhdim.

“Ky projekt do të fillojë nga zona pas tunelit dhe do të përfundojë në Orikum. Është një rikonceptim total që do t’i shtojë vijës bregdetare aktuale të Vlorës edhe 20 km deri në Orikum”, tha Leli.

Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se “projekti do të ketë standard të ri dhe tërësisht modern”.

Kjo shëtitore vjen pas asaj të Lungomares të përuruar në maj të 2017. Ky projekt është cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj./ATSh

Të ngjashme