Opozita maqedonase ka bllokuar për rreth dy orë trafikun në Shkup në protestën e organizuar kundër qeverisë, për shkak të siç ka thënë, “shitjes së interesave kombëtare e shtetërore në bisedimet me Bullgarinë”.
Me moton “Për shpëtimin e së ardhmes maqedonase dhe për të ardhmen e popullit maqedonas”, protestat janë mbajtur para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe para qeverisë.
“Populli duhet të dijë të vërtetën, partia më e madhe e opozitës duhet të dijë të vërtetën se për çfarë po bisedohet në Bullgarinë”, ka deklaruar lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ai ka përsëritur qëndrimin se “VMRO DPMNE-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, në rast se më të qeveria dëmton interesat kombëtare, gjuhën maqedonase, kombin maqedonas si dhe nëse heq dorë nga pakica maqedonase në Bullgari”.
A e rritë bllokada bullgare euro-skepticizmin në Maqedoninë e V.? Paraprakisht deputeti i kësaj partive, Antonio Milloshoski, ish ministër i Jashtëm kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov duke akuzuar për negociata të fshehta me Bullgarinë, në dëm të interesave të Maqedonisë së Veriut.
“As Bujar Osmani, as Zoran Zaevi dhe as Nikolla Dimitrov nuk kanë të drejtë të bëjnë pazar me interesat shtetërore e kombëtare. Ata nuk kanë të drejtë të luajnë me të rënët, kujtimet dhe të kaluarën, me dhimbjen dhe me vlerat tona për çlirimin e Maqedonisë dhe Evropës. Ata duhet sa më parë që të japin dorëheqje”, ka deklaruar deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Kryeministri bullgar Boyko Borisov dhe ai maqedonas, Zoran Zaev pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë më 2017.
Por, pretendimet e opozitës janë hedhur poshtë nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev duke akuzuar VMRO DPMNE-ja se “punon për shërbime të huaja në dëm të shtetit”.
“Atdheu ynë është i tërë dhe mbetet i tërë. Mickoski paraqet rrezik për shtetin dhe qytetarët. Mickoski dhe VMRO-DPMNE vazhdimisht bllokojnë proceset në vend, po bllokojnë luftën kundër koronavirusit, po bllokojnë punën e Kuvendit, po bllokojnë përparimin drejt NATO-s, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Shumica e qytetarëve i dhanë mbështetje të madhe progresit dhe të ardhmes. Republika e Maqedonisë së Veriut po lëviz përpara drejt një të ardhme progresive dhe drejt realizimit të angazhimeve strategjike”, ka deklaruar StefanVasev, përfaqësues i LSDM-së.
Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut pasuan veton bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Korniza e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së ishte paraparë të miratohej në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, më 10 nëntor, por kjo u kundërshtuar nga Sofja e cila kërkon nga Shkupi marrëveshje paraprake mbi prejardhjen e identitetit dhe të gjuhës maqedonase, të cilat pretendon se kanë rrënjë bullgare, por ato janë refuzuar nga autoritetet në Shkup.