Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka konfirmuar se nuk kanë dhënë leje për t’u zhvilluar miqësorja ndërmjet klubeve të Graçanicës dhe “Crvena Zvezdës”, e paraparë të luhej më 9 maj.
Kreu i FFK-së ka thënë se arsye e moslejimit të zhvillimit të ndeshjes miqësore në Graçanicë janë fyerjet e tyre raciste anti-kosovare në miqësoren e vitit të kaluar.
“Dy vjet me radhë ne iu kemi dhënë leje për të luajtur, e sivjet kanë kërkuar leje por ne nuk i kemi lejuar për arsye se në ndeshjen e fundit, vitin e kaluar, ka pasur brohoritje të cilat nuk i përkasin fer-playt sportiv, si dhe parulla të tjera të lloj-llojshme të cenimit të institucioneve edhe për atë arsye e kemi refuzuar kërkesën e tyre dhe e kemi lajmëruar edhe UEFA-n se nuk do të luhet kjo ndeshje për arsyet e njëjta siç iu thashë më lartë”, ka deklaruar Vokrri për Koha.net.
Më 23 maj të vitit të kaluar, në Graçanicë ishte hera e fundit kur kjo miqësore ishte zhvilluar, e që nuk kishte kaluar pa pasur mesazhe anti-kosovare.
Kjo ndeshje zakonisht luhej në fund të çdo maji dhe nga organizatorët proklamohet si humanitare, por në të ka pasur fyerje raciste anti-kosovare.
Në ndeshjen e fundit, siç kishte raportuar “Koha Ditore”, rreth 2000 mijë tifozë serbë në Graçanicë kishin kënduar këngë patriotike serbe, kanë bërë fyerje për shqiptarët dhe thirrje “Kosova është zemra e Serbisë”. Ishte intonuar edhe himni i Serbisë dhe ishin shpalosur shumë flamuj të shtetit fqinj.
FFK-ja ndalon ndeshjen e “Zvezdes” me Graçanicën
Federata e Futbollit të Kosovës ia ka ndaluar ndeshjen e paralajmëruar dhe tradicionale të klubit serb “Crvena Zvezda” në Graçanicë, ka raportuar sot “Radio Graçanica”.
Ndeshja mes klubeve të Graçanicës dhe “Zvezdes” është dashur të luhej të mërkurën, më 9 maj, ndërsa, siç raportojnë mediat në Serbi, paratë e mbledhura nga kjo ndeshje do të shkonin për repartin e pediatrisë në klinikën gjinekologjike në veri të Kosovës.
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se “ky është një turp i madh i Prishtinës dhe i atyre që nuk lejojnë të luhet një ndeshje humanitare për repartin e lindjeve”.
“Ata nuk lejojnë të luhet ndeshja miqësore, jo e përfaqësueses, por e ‘Crvena Zvezedes’ e cila për vite të tëra ndihmon repartet e lindjeve në Kosmet. Të gjithë në Serbi kemi rënë dakord ta dënojmë këtë, kjo s’mund të kalojë pa reagim nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Gjuriq për televizionin publik të Serbisë.
Kryetari i përgjithshëm i FFK-së, Fadil Vokri, mendon se kjo ndeshje do të ndikonte në përkeqësimin e raporteve mes komunitetit serb dhe popujve tjerë, sikurse edhe do të përkeqësonte sigurinë edhe të vetë lojtarëve e akterëve tjerë, raporton mediumi serb “mondo”.
Kryetari i Komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, ka deklaruar për RTV Graçanicën se nuk e kupton këtë veprim të FFK-së.
“Askush s’e ka pritur një përgjigje të këtillë nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga vetë Fadil Vokrri, për faktin se edhe ai vet është sportist, rrjedhimisht futbollist. Një ndeshje humanitare e cila do të ndihmonte klinikën e lindjes në Graçanicë u refuzua, kërkesa jonë u refuzua, ndërsa arsyeja e refuzimit nuk është justifikuar dhe s’kemi marrë asnjë dëshmi që do të faktonin se arsyet e refuzimit janë raciste apo politike që nuk janë në pajtim me ngjarjet sportive”.
Sipas fjalëve të tij, Komuna ka kërkuar fakte për arsyen e refuzimit, por nuk ka pranuar asgjë.