Është mbajtur ceremonia e pritjes solemne të ekipit të volejbollit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, fitues i vendit të dytë në garën “Euro Milano 2018”, në Itali.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj tha se edhe pse kanë zënë vendin e dytë në një garë aq të madhe konsiderohet si vend i parë, raporton Ekonomia Online.
“Vendi i dytë në një konkurrencë aq të madhe për neve është vend i parë. Me një ekip numerikisht të vogël, por me një vullnet entuziast të pathyeshëm dhe ke zemër kjo arrihet. Në një garë siç është ajo ku marrin pjesë shumë ekipe, ta zini vendin”.
“E dytë dhe të jeni fitimtar atëherë ju uroj nga zemra. Ne si universitet jemi duke bërë në nivel të Kosovës sepse deri tash jemi mësuar të kemi fitore e individ dhe jemi duke bërë ndryshimin si ekip. Ne po angazhohemi si menagjment të ju plotësojmë kushtet”.
Musa Selimi dekan i fakultetit të edukimit fizik dhe sportit tha se ka qenë një garë e vështirë mirëpo me vullnet kanë arritur deri tek vendi i dytë.
“Pa një bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme nga rektori nuk do të ishim prezent atje. Ka qenë një finale e jashtëzakonshme. Vajzat tona kanë qenë me kokën lartë. Po krijojmë një imazh të mirë të universitetit të Prishtinës dhe vajzat po na bëjnë krenarë në të gjitha sferat. Para dy jave edhe federata e sportit të Kosovës është pranuar në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe na janë hapur dyert”, tha ai.
Kapitenia e ekipit Nazmije Ibrahimi, tha se do të mundohen edhe herëve tjera të sjellin suksese të tjera.
“Kjo nuk është hera e parë që jemi pjesëmarrës në këto gara. Ishte kënaqësi që të jem pjesë e këtij suksesi dhe do të mundohemi që edhe viteve tjera të prezantojmë suksese të tjera”, tha ajo.
Vajzat e ekipit u shpërblyen me mirënjohje ndërkaq mirënjohje ju nda edhe Florian Miftarit për botimin e Temës së doktoraturës nga një shtëpi botuese gjermane.