Regjistrimet e automjeteve të reja në Europë u rritën me 2.9% për gjysmën e parë të vitit, falë rritjes së ndjeshme të shitjeve në vendet e Europës Lindore. Në total, shitjet arritën në 8.45 milionë njësi, rreth 238 mijë njësi më shumë se viti i mëparshëm.
Në Rumani shitjet u rritën me mbi 1/3, ndjekur nga Hungaria me 29%, Lituania me 24.6% dhe Greqia me 23.7%. Për Greqinë, ky është një tregues i mirë për ekonominë e vendit dhe sigurinë e individëve për të bërë investime të tilla.
Sa i takon prodhuese të automjeteve, grupi Volkswagen raporton edhe ndryshimin më të madh pozitiv me 7.5% rritje të njësive të shitura, shkruan scan tv. Rritja për Volkswagen vjen falë pjesës më të madhe të markave që përfshin grupi, si: Volkswagen, Seat, Porsche dhe Skoda.
Rritje pozitive raporton edhe grupi PSA, i cili ka shtuar shitjet e markës Peugeot me 8.7%. Edhe francezja tjetër Renault ka pasur rezultate pozitive, sidomos sa i përket markës Dacia, e cila është shumë popullore pikërisht në vendet e Europës Lindore.
Ndërkohë, grupi italian FCA ka pësuar një rënie me 2.1%, për shkak të performacës së dobët të shitjeve të njësive Fiat dhe Lancia/Chrysler. Megjithatë brenda grupit, marka Jeep ka shënuar një rritje të konsiderueshme me 67.6%, duke shitur në total mbi 90 mijë njësi për 6 muaj e parë të vitit.
Rënie kanë shënuar edhe grupet gjermane Daimler (Mercedes, Smart) dhe BMW (BMW, Mini). Terren kanë humbur edhe marka amerikane Ford dhe japonezja Nissan. Ndërkohë aziatike e tjera Toyota, Hyundai dhe Kia kanë shënuar të gjitha rritje mbi 5%.