Në shumë raste, ndërtimi i rrugëve në Kosovë është proces që stërzgjatet me vite dhe që në fund nuk i përafrohet projektit fillestar.
Kjo gjetje rezulton në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit, zyrë kjo që ka audituar 11 projekte rrugore në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë.
Ndonëse ishte paraparë që rruga Llapqevë – Ujëvarat e Mirushës në Malishevë, të përfundonte brenda 120 ditësh, ajo rezulton se nuk ishte përfunduar as pas 1,339 ditësh.
“Në lidhje me ndërtimin e rrugës Llapqevë – Ujëvarat e Mirushës, me gjatësi 3.1 kilometra dhe gjerësi 6 metra, rruga nuk kishte përfunduar ende, deri në qershor të vitit 2021, kur është kryer ky auditim, edhe pse kishin kaluar 42 muaj nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa ishte paraparë të zgjaste 120 ditë pune”, thuhet në raportin e publikuar më 30 gusht.
Një rrugë tjetër, në këtë rast e mbështetur nga Ministria e Infrastrukturës, që parashihte të lidhte fshatrat e Komunës së Skenderajt me ato të Istogut, e njohur si rruga Vojnik – Osojan, ndonëse filloi në vitin 2016, nuk ka përfunduar ende.
Kjo rrugë me gjatësi 3.6 kilometra dhe me gjerësi 6 metra, në fazën fillestare ishte paraparë të kryhej për 155 ditë.
Në këtë segment të rrugës punimet kishin vazhduar deri në qershor të vitit 2017, kur edhe ishin ndërprerë pa afat.
“Shkak që kjo rrugë të realizohet vetëm pjesërisht ishin problemet pronësore meqë kjo rrugë ishte rrugë tërësisht e re dhe ishte paraparë që e gjithë traseja të kalonte nëpër prona private, të cilat nuk ishin shpronësuar para nënshkrimit të kontratës”, thuhet në raport.
Për 90 ditë punë efektive ishte paraparë që të përfundonin punimet në rrugën rajonale Rahovec – Suharekë me gjatësi 12.35 kilometra dhe gjerësi 6.8 metra, por ato nuk kishin përfunduar as pas dy vjetësh.
Sipas gjetjeve të Auditorit, nga dita e parë e fillimit të punimeve për rehabilitimin e kësaj rruge, kishin kaluar më shumë se 1,000 ditë kalendarike ose 33 muaj dhe ende punimet nuk ishin përfunduar.
Raporti po ashtu përmend edhe disa projekte që janë zvarritur dhe ndërtimi i të cilave është pezulluar për afat të pacaktuar.
Bazuar në gjetjet e këtij auditimi, rezulton se ndërtimi i rrugëve lokale dhe rajonale, përcillet me vështirësi të shumta, duke filluar nga mungesa e analizës kosto-përfitime, planifikimi joadekuat i aktiviteteve, buxhetimi i pamjaftueshëm, problemet me shpronësime si dhe problemet me hartimin e projekteve kryesore si dhe paqartësi sa i përket referimit në standarde të ndërtimit të rrugëve.
Për këtë arsye, ndërtimi i rrugëve është karakterizuar me vonesa deri në tre vjet, e disa kishin mbetur pa përfunduar edhe pesë vjet pas fillimit të tyre.
Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë pranë organizatës INPO, që monitoron fushën e prokurimit publik, thotë se është vështirë të gjendet ndonjë projekt infrastrukturor në Kosovë i cili është kryer sipas kritereve dhe në afat optimal kohor.
Ai thotë se institucionet, qoftë lokale, qoftë qendrore, dështojnë qysh në fillim të nisjes së tenderëve dhe përcakimit të kritereve.
“Lëshimet jo gjithherë ndodhin nga panjohuria lidhur me punën e caktuar apo projektin e caktuar. Lëshimet zanafillën e kanë qysh në inicim të procedurës”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.
Airifi thotë se ka mungesë të madhe të stafit të kualifikuar e që janë persona përgjegjës nëpër komuna për të vendosur se kush është fitues i kontratave si dhe që kanë përgjegjësinë e monitorimit të zbatimit të projekteve.
“Nuk kemi një menaxhim kualitativ, e them për faktin se jo gjithherë si menaxher kontratash dhe si komision mbikëqyrës, caktohen njerëz kompetentë, njerëz të fushës dhe e dyta është fakti se komunat ballafaqohen me mungesë të stafit adekuat, i cili do të mund të menaxhonte një kontratë”, shprehet ai.
Arifi thotë se në bazë të monitorimit që kanë kryer në projekte infrastrukturore, pavarësisht se kompanitë kanë bërë shkarje nga projektet fillestare si dhe në rast të dështimeve në zbatim të projektit, ndaj tyre nuk janë shqiptuar dënime.
Shqiptimi i dënimeve për shkak të punimeve të dobëta si dhe për vonesa të paarsyeshme në përfundimin e projekteve, është i paraparë me ligj, por sipas Arifit, kjo nuk gjen zbatim në praktikë.
Radio Evropa e Lirë ka provuar që të flasë me zëvendësministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimishi, i cili javëve të fundit është marrë në veçanti me cilësinë e asfaltit në rrugët e Kosovës, por, ai nuk i është përgjigjur interesimit të REL-it.
Ndërtimi i rrugëve në Kosovë, sidomos atyre lokale, për Naser Kabashin, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, kryhet pa një analizë të mirëfilltë si dhe me mungesë të madhe të monitorimit të zbatimit të projekteve.
Profesor Kabashi thotë se rrugët në Kosovë kanë një cilësi të dobët pasi sipas tij, qysh në fazën fillestare janë të përfshirë njerëz jokompetentë që vendosin për dhënien e tenderëve.
Një aspekt tjetër negativ që ndikon në realizimin e dobët të projekteve infrastrukture, sipas profesorit Kabashi, është edhe fakti që synohet çmimi më i lirë e jo cilësia.
“Në procesin e vlerësimit të dokumenteve tenderuese ose të aplikantëve, duhet të jenë njerëzit që janë profesionistë sepse çfarë jemi duke bërë tani? Tanimë e kemi lëshuar nivelin dhe shohim vetëm një qasje, shohim vetëm çmimin dhe nuk e analizojmë anën teknike që kontraktuesit e ofrojnë në momentin e aplikimit”, thotë Kabashi.
Profesori Kabashi thotë se për të pasur rrugë më cilësore, duhet që institucionet të kujdesen qysh në fazën fillestare që të përgatisin më mirë dokumentacionin tenderues.
Sipas tij, duhet të rritet edhe kontrolli laboratorik i asfaltit që shtrohet në rrugët e Kosovës.
“Mbikëqyrja e asfaltit duhet të jetë permanente prej momentit të përgatitjes së bazës së rrugës, deri në momentin e përfundimit të asfaltit”, thotë ai.
Sipas të dhënave zyrtare, ndërtimi i rrugëve në Kosovë merr një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve për investime kapitale.
Gjatë periudhës 2017-2019, vetëm në ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve rajonale dhe lokale ishin shpenzuar mbi 343 milionë euro.