Vonesat e mëtejme në funksionalizimin e gjyqësorit mund të çojnë në përshkallëzim të situatës së sigurisë në veri, kanë paralajmëruar gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë e serbë gjatë një diskutimi të zhvilluar në Mitrovicë për vonesat në zbatimin e Marrëveshjes së drejtësisë.
Pas shkeljes së afateve, tani palët janë dakorduar që marrëveshja të nisë së zbatuari më 17 tetor. Por, përveç datës për nisjen e punës, gjyqtarët serbë nuk kanë asnjë informacion për punën që i pret, shkruan sot Koha Ditore.
Jelena Krivokapiq, gjyqtare në Gjykatën Themelore të Mitrovicës Veriore ka thënë se asnjë informacion nuk u ka ardhur qoftë nga Beogradi apo Brukseli se cilat do të jenë detyrat e tyre me marrëveshjen e re.
Ajo ka folur edhe në emër të kolegëve, duke thënë se do ta kenë vështirë të pranojnë të kalojnë në sistemin e Kosovës, përderisa nuk rregullohet statusi i tyre me ndonjë ligj të veçantë.