Së paku edhe dy muaj spitalet publike në Kosovë do të mbesin pa shumë barna, të cilat obligohet që t’ua blejë Ministria e Shëndetësisë. Kjo pasi që ministri, Uran Ismaili prej shtatorit të vitit të kaluar kur ka marrë pozitën nuk ka iniciuar asnjë procedurë tenderuese për blerjen e barnave që u kanë skaduar kontratat, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se ka munguar një sistem i përcjelljes së skadimit të tyre. Prej rreth 300 produkteve që gjendën në Listën Esenciale të Ministrisë se Shëndetësisë, aktualisht janë të kontraktuara 155 produkte, ndërsa pjesa tjetër është e pambuluar. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Numri i produkteve të kontraktuara është 155. Numri i produkteve në kuadër të programeve specifike, të cilat sigurohen nga Dep. i Farmacisë në MSh – Morbus Goucher; Anti Tuberkularët; Metadon; Programi i Imunizimit; Scleroze Multiple) është 45”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shumë produkte të Listës Esenciale të pakontraktuara janë edhe nga kategoria e citostatikëve që janë barna për trajtimin e pacientëve të sëmurë me kancer.