Imagjinoni një fushatë zgjedhore të kandidatëve që nuk janë politikanë! E gjeni në Maqedoninë e Veriut.
Zgjedhjet presidenciale atje do të mbahen më 21 prill dhe gara midis tre kandidatëve – të gjithë akademikë, asnjëri politikan i karrierës – është dominuar nga debati mbi çështje si integrimi në strukturat perëndimore.
Në një vend ku fushatat e mëparshme zgjedhore janë përshkuar me dhunë, truke të pista dhe retorikë të mprehtë nacionaliste, maqedonasit duken të lumtur që janë në gjendje të zgjedhin kandidatë bazuar në opinionet e tyre, e jo në regjistrime të përgjuara, akuza për mashtrime zgjedhore dhe thashetheme në mediat sociale.
Këta kandidatë janë: Stevo Pendarovski, koordinator i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, i cili mbështetet nga Social-Demokratët në pushtet; profesorja universitare, Gordana Siljanovska-Davkova, kandidatja e parë grua e këtij vendi, dhe Blerim Reka, ish-ambasador në Bashkimin Evropian, i cili mbështetet nga dy parti shqiptare.
Të tre kanë nënshkruar një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike përpara fillimit të fushatës, duke sinjalizuar një kthesë të re në historinë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
“Është koha që të kemi mundësinë për të zgjedhur një person, i cili do të jetë i qëndrueshëm në kohën e këtyre ndryshimeve”, thotë Ibrahim Hazimi nga Shkupi.
Pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë për të ndryshuar emrin në Maqedoni e Veriut dhe për t’iu dhënë fund mosmarrëveshjeve që e kanë bllokuar rrugën e tij drejt NATO-s dhe BE-së, ky vend nuk pritet të ndryshojë udhë pas zgjedhjeve presidenciale.