Komisioni i Parlamentit Evropian për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Liritë Qytetare (LIBE) ka mbështetur ri-nisjen e negociatave teknike me Këshillin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën. Do të thotë Komisioni LIBE ka përsëritur veprimin e 30 gushtit 2018.
Arsyeja për përsëritjen e këtij votimi është sepse tani më kemi legjislaturën e re të Parlamentit Evropian të dalur nga zgjedhjet e PE-së të majit 2019, dhe rrjedhimisht të gjitha procese që nuk kanë përfunduar në legjislaturën e kaluar duhet të përsëriten.
Tani hapi i radhës do të jetë që rekomandimi i Komisionit LIBE për ri-nisjen e negociatave me Këshillin e BE-së të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian e cila pritet të mbahet me 9 tetor 2019 në Bruksel.
Dhe pas atij votimi jemi prapë këtu ku kemi qenë deri më sot :), pasi që të gjithë po presim lëvizje të vendeve skeptike siç janë France dhe Holanda.
Rekomandimi i sotëm i LIBE-së nuk duhet të shoqërohet me urime, por nuk duhet as nënvlerësuar. Është e mirëseardhur të shohim që së paku në Parlamentin Evropian çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të gëzojë përkrahjen e Eurodeputetëve. Herën kaluar rekomandimi është votuar me 30 vota pro, ndërsa sot rekomandimi u votua me 49 vota pro.
Po ashtu, është për tu përshëndetur fakti se Kosova dhe çështja e liberalizimit të vizave po gjen mbështetje në përbërjen e re të LIBE-së edhe tani kur Kryetari i ri i Komisionit LIBE vije nga Spanja, z. Juan Fernando López Aguilar.