Në Kosovë, gjatë dy ditëve, do të qëndrojë Grupi Punues nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, raporton KTV.
Siç njihet si Grupi i COWEB-it, do të takojë zyrtarë qeveritarë e udhëheqës të tjerë të institucioneve të rendit dhe ligjit. Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, thotë se ky delegacion proceduralisht do të çojë përpara procesin e vendimmarrjes në Këshillin e Ministrave të BE-së.
Ministrja Hoxha është shprehur optimiste se gjatë tetorit ose më së largu në fillim të dhjetorit do të ndodhë votimi në Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së.
Ajo shpreson se lëvizja pa viza për kosovarët mund të ndodhë brenda këtij viti, por vendimi mund të hyjë në fuqi edhe gjatë muajve të parë të 2019-ës.
Profesori i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, mendon se votimi pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së nuk do të jetë i lehtë, pasi disa vende janë shprehur kundër.
Për të kaluar votimi, duhen votat e ministrave që përfaqësojnë të paktën 62 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian.