Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka votuar Raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Komisionit Duda Bajle, është interesua të dijë se cilat kanë qenë sfidat dhe si është gjendja me respektimin e të drejtave të njeriut.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj me këtë rast tha se janë munduar që të menaxhojë me situatën.
Sipas tij, ndërrimi i shpeshtë i Qeverive ka bërë që shumë ligje të shtyhen, duke pamundësuar zbatimin e tyre.
“Edhe në raport preket kjo temë për mbrojtjen e shëndetit publik shpeshherë kemi pas kufizime dhe cenim të të drejtave të njeriut, dhe marrjen e masave emergjente në këtë drejtim”.
“Poashtu edhe ndërrimi i qeverive ka ndikuar që me pas ulje të projektligjeve që janë aprovuar sipas planit vjetor dhe që tregon se çfarë sfida është ballafaquar institucioni në fjalë”, tha Qelaj.
“Efekti i qëndrimeve të Avokatit të Popullit nuk është se kanë qenë shumë të dëshirueshme, por që kemi bërë dhe jemi munduar të bëjmë të duhurën”, theksoi ai.
Tutje ai tregon që janë munduar që brenda afatit të tyre kohor edhe të u përgjigjen ankesave të qytetarëve.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi pyet Avokatin e Popullit lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në veri sa i përket borxhit për shpenzimin e ujit të pijes.
“Po janë bërë shkelje të drejtave të njeriut në veri, sa i përket inskenimeve i qytetarëve me borxh të ujit ndërsa tani kemi të bëjmë me ndarje të buxhetit që nuk i kemi të përfshirë në raport”.
Qelaj tha se nuk mund të jap asnjë konstatim pa u bërë një raport i detajuar.
Deputeti i VV-së, Alban Bajrami e pyeti Avokatin se sa raste të dhunës në familje kanë arritur t’i procedojnë.
“Çështja e dhunës në familje është rast qe diskutohet shumë pavarësisht manualit që kemi, dënimet janë minimale. Bashkëpunim me organizatat e ndryshme arrijmë me pas qasje dhe me i proceduar”.
Qelaj përmendi disa raste ku shteti ka dështuar që tu ofrojë mbështetje viktimave të dhunës në familje.
“Sidomos rasti i fundit i dhunës në familje që kemi pasur rast me të meta mendore ku një anëtare e familjes vret motrën dhe rast që është paralajmëruar më parë dhe ka kërkuar mbrojtje dhe ne kemi dalë me konstatim se shteti nuk ka arritur tu ofrojë ndihmë në këtë rast që është kërkuar më herët”.
Komisioni ka diskutuar edhe për konkursin për pesë zëvendës Avokat të Popullit, raporton EO.
Anëtarët e Komisionit nga VV-ja kanë propozuar që të bashkëngjitet një raport shtesë lidhur me të gjitha shkeljet dhe ankesat që kanë pranuar për konkursin.
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci tha se materiali duhet të dërgohet bashkë me mendimin nga Zyra Ligjore e Kuvendit.
Edhe anëtarja e PDK-së në këtë Komision Eliza Hoxha, tha se nëse dërgohet ky raport në mënyrë si është përpiluar nuk do ta lexojë askush në Kuvend.
Komisioni ka marrë vendim që raporti me rekomandime të votohet në mbledhjen e radhës.