Votohet rezoluta për dialogun, Ahmeti e Limaj bashkëkryesues

Prishtinë | 15 Dhj 2018 | 18:50 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas disa orësh shtyrjeje për mungesë kuorumi, është mbajtur seanca e Kuvendit, me ç’rast është votuar rezoluta e propozuar nga Partia Social-Demokrate (PSD), për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas projekt-rezolutës të cilën e ka lexuar Visar Ymeri, bashkëkryesues të delegacionit shtetëror të Kosovës do të jenë kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, dhe Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate.

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të votojë ekipin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, duke thënë se Kuvendit do t’ia kthejnë rolin vendimtar që duhet të ketë.

Ai ka dhënë edhe emrat e ekipit që do të jenë gjithsej 11 anëtarë: 6 nga koalicioni, 4 nga opozita dhe 1 nga shoqëria civile.

Sipas dokumentit të prezantuar nga Ymeri këta janë emrat që do të jenë në ekipin dialogues:
Shpend Ahmeti (PSD)
Fatmir Limaj (Nisma)
Enver Hoxhaj (PDK)
Avni Arifi (AAK)
Behgjet Pacolli (AKR)
Mahir Yagcilar (6+)
Dardan Gashi (zv.kryeministër/pa parti)
Një përfaqësues nga boshnjakët
Një përfaqësues i shoqërisë civile, i cili do të votohet nga ekipi dialogues
Dy vende të rezervuara për LDK-në dhe VV-në, që tani i mbajnë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani derisa ata këto dy subjekte t’i marrin.

Po ashtu Ymeri tha se nga Dialogu më Serbinë Kosova duhet të përfitojë njohje të ndërsjellë, anëtarësim në OKB, zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve për anëtarësim në BE dhe NATO.

Nënkryetari tjetër i PSD-së, Dukagjin Gorani tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë refuzuar të përfshirën në diskutimet për këto dy dokumente.

“Këto dy projekt dokumente e përkufizojnë delegacionin shtetëror si entitet të vetëm që ka mandat negociues në procesin e dialogut. Projektligji i jep fuqi detyruese projekt rezolutës së PSD-së. Tekstet janë harmonizuar me AAK-në, Nismën AKR-në dhe Alternativën, ndërkohë por presim edhe qëndrimin e PDK-së. Ndërsa LVV dhe LDK-ja kanë qëndrim kundërshtues ndaj këtyre propozimeve”, tha Gorani.

Sipas tij, këto dokumentet nuk e kufizojnë rolin e krerëve shtetërorë në procesin e dialogut. “Me këto projekt-dokumente nuk synohet as reduktimi dhe as kufizimi i rolit të askujt e veçanërisht i institucioneve kushtetuese çfarë është qoftë ai i kryeministrit kryeparlamentarit apo edhe i presidentit”, tha Gorani.

Ahmet Isufi nga AAK-ja dhe Bilal Sherifi nga Nisma, gjithashtu, dhanë mbështetje për rezolutën në emër të grupeve të tyre parlamentare.

Mbështetje për rezolutën ofroi dhe Danush Ademi nga 6+. “Do ta keni mbështetjen tonë për dialogun edhe pse nuk jemi pjesë e delegacionit”, tha ai.

Seanca ishte paraparë të niste në orën 14:00, fillimisht ishte shtyrë për në orën 16:00, por ka nisur pas orës 18:00. Disa nga folësit e paraqitur janë tërhequr dhe seanca ka kryer punimet shpejt, ka zgjatur vetëm rreth 20 minuta.

Në fund nga 61 deputetët e pranishëm në sallë, 59 kanë votuar për dhe 2 kanë abstenuar.

Në këtë seancë munguan deputetët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes në shenjë të kundërshtimit të kësaj rezolute. Ata kanë akuzuar PSD-në opozitare se po i bëhet “patericë” Hashim Thaçit në dialog me Serbinë.

Të ngjashme