Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka votuar unanimisht Projektligjin për Inspektoriatin e Arsimit.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se është punuar vazhdimisht në Projektligjin e Inspektoriatit të Arsimit, raporton Ekonomia Online.
“Ju e dini që komisioni është duke punuar në këtë projektligj dhe kanë mbetur dy çështje që kemi pasur dilema. Në mbledhjen e fundit i kemi dhënë obligim zyrës ligjore që për këto çështje të na japin dy propozime dhe ne të votojmë pastaj edhe për Projektligjin në përgjithësi dhe ta dërgojmë në seancë”.
“Çështja është që komisionet të krijohen nga ministri apo nga drejtori i përgjithshëm i Inspektoriatit dhe pika e ngritur nga Arbërie Nagavci për mundësinë e mbikëqyrjes së punës të inspektorëve”, tha ai.
Deputetja Teuta Haxhiu tha se themelimi i komisionit duhet të bëhet nga drejtori i Inspektoriatit, raporton EO.
“Është diskutuar gjatë edhe në takimin e fundit. Dilemat tona dhe interesi jonë është ta bëjmë një inspektoriat që ka fuqi profesionale më të madhe sesa që ka sot. Unë mendoj që drejtori i përgjithshëm duhet të jetë, e jo ministri. Unë mendoj që duhet me qenë në kompetencë të drejtorit të Inspektoriatit”, tha ajo.
Valentina Bunjaku-Rexhepi ndau mendimin e njëjtë për dhënien e kompetencave drejtorit të Inspektoriatit dhe jo ministrit për themelimin e komisionit.
“Unë mendoj që kompetencat t’i shkojnë drejtorit të Inspektoriatit, sepse ministri mundet m’u shkarku ndërkaq drejtori mbetet. Ndërkaq mendoj që jemi në mangësi të Inspektorëve të komunave”, tha ajo.
Nezir Çoçaj tha se formimin e komisionit duhet ta bëjë drejtori i Inspektoriatit, raporton EO.
“Jam që drejtori i Inspektoriatit duhet ta themelojë komisionin. Ministri nuk duhet ta themelojë këtë komision. Na jemi për formimin e këtij komisioni mirëpo me kusht që ta formojë drejtori”.
Me 6 vota për u votua që drejtori i Inspektoriatit ta themelojë komisionin për ankesa të shkallës së dytë.
Ndërkaq, kërkesa e deputetes Arbërie Nagavci për mbajtjen e provimit profesional që e vlerëson performancën e inspektorëve të arsimit u refuzua nga komisioni.